TIRANË- Të shtunën, Partia Demokratike zgjedh kreun e ri të partisë, por ajo që bie në sy është mungesa e garës. Sali Berisha nuk ka lejuar asnjë person tjetër nga PD, që ta rivalizojë me votë për drejtimin e partisë.
Një prej kandidatëve, e cila nuk u lejua të garonte është Alesia Balliu. Ajo ka sulmuar kreun e PD-së, Sali Berisha, duke e akuzuar se e ka kthyer partinë në “pronë private” dhe se po mbyll dyert për demokratët.
E ftuar në “Ora e Fundit”, Balliu deklaroi se 23 maji do të jetë “ditë e zezë” për Partinë Demokratike dhe për shqiptarët, pasi sipas saj humbet shpresa që opozita të jetë një alternativë qeverisëse. Ajo tha se bashkë me Ervin Salianjin do të vijojnë betejën për të marrë drejtimin e PD-së përmes mbështetjes së anëtarësisë dhe demokratëve.
Balliu kritikoi gjithashtu sulmet e Berishës ndaj SPAK, duke ngritur pikëpyetje mbi modelin që opozita po ofron për qytetarët.
“Halli i tij është të tejkaloi rekordin e Enver Hoxhës dhe pastaj s’ka rëndësi ku përfundon PD. Nesër është një ditë e zezë për PD, por edhe për të gjithë shqiptarët, humb shpresa, që PD mund të jetë një alternativë qeverisëse nesër. Dyert e PD janë të mbyllura. Sali Berisha e ka kthyer PD në pronë private. Ditë e zezë për shqiptarët, për demokratë dhe për të gjitha ata njerëz që duan të mundin Edi Ramën.
Çfarë modeli pret ti kur kreu i opozitës merr një letër para dhe sulmon SPAK. Si unë si Salianji, do vijojmë betejën për të marrë Partinë Demokratike. Këtë do ta bëjmë me demokratë, me anëtarë dhe me shumicë. Nuk do ndalemi dhe nuk do na bëjë dot Sali Berisha që të bëjmë pas, Ne nuk do jemi pjesë e farsës së Berishës. Nëse është Saliu kundër Berishës”, tha ajo.
Ndërkohë, aktivisti politik Ibsen Elezi ngriti shqetësime për proceset e brendshme në Partinë Demokratike. Ai deklaroi se mungojnë regjistra të saktë të anëtarësisë dhe të degëve, duke akuzuar drejtuesit për deformim të garës së brendshme dhe shtim fiktiv të emrave.
Sipas Elezit, strukturat aktuale po përdorin mekanizma që dëmtojnë konkurrencën dhe eliminojnë çdo model alternativ brenda partisë.
“Nuk ka një anëtarësi dhe një regjistër dege, dhe një regjistër kombëtar të mirëfiltruar dhe të mos ketë ankesë, Duke mos pasur këto regjistra dhe duke i deformuar regjistrat, ata vazhdojnë në mënyrë fiktive të shtojnë emra. Ti përdor mekanizma të deformimit të garës. Ata e deformojnë hapur. Duan të vrasin çdo model që iu del kundër”, tha ai.
Ai theksoi se përballë kësaj situate është i domosdoshëm, krijimi i një poli të tretë politik.
“Duhet ndërtimi i një pol i tretë i unifikuar, që t’i kundërvihet hapur PS dhe PD”, theksoi ai.
/abcnews.al


