Bashkimi Evropian po përgatit një hua për Ukrainën, e cila do të mbështetet në të ardhurat nga asetet e ngrira të Bankës Qendrore Ruse, por pa prekur pronësinë ruse të këtyre aseteve. Lajmin e bëri të ditur komisioneri evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, në kuadër të takimit informal të ministrave të Financave të BE-së (Ecofin) që po mbahet në Kopenhagë.
Sipas Dombrovskis, kjo hua do të ketë karakterin e një “riparimi lufte”, dhe projekti është në përputhje me atë që presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, prezantoi më herët në fjalimin e saj për gjendjen e Bashkimit.
“Jemi duke punuar për të përcaktuar kohën dhe shumën e huas,” deklaroi Dombrovskis, duke shtuar se ky model mund të shërbejë si shembull edhe për vendet e tjera të G7-ës, të cilat gjithashtu kanë ngrirë asete ruse për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.
Sipas propozimit, Ukraina do ta kthejë huan vetëm pasi të ketë marrë kompensimet e luftës nga Rusia, në përputhje me përgjegjësinë e saj për agresionin ndaj një vendi sovran.
Tematika nuk është pjesë e agjendës zyrtare të takimit informal të Ecofin, siç kishte njoftuar më herët edhe presidenca daneze e radhës së BE-së. / abcnews.al /


