Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

BE kërkon respektim të verdiktit në Hagë: Aktgjykimi i shkallës së parë mund të apelohet

schedule13:36 - 12 Shtator, 2026

schedule 13:36 - 12 Shtator, 2026

Bashkimi Evropian, si një nga mbështetësit kryesorë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka kërkuar respektimin e vendimit që do të merret ndaj katër të akuzuarve në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

“Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thonë nga Brukseli për “Gazetën Express”.

BE potencoi mbështetjen e kahershme të saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) si “një institucion gjyqësor i pavarur”, ndërsa rikujtoi se është “themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015”.

“Parlamenti i Kosovës (përmes një amendamenti kushtetues) autorizoi zhvendosjen e procedurave në Hagë, për të ndihmuar në garantimin e procedurave gjyqësore të pavarura, të paanshme dhe të drejta në lidhje me pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë”.

Por, BE-ja vë në pah se vendimi i 16 shtatorit nuk është fundi i procesit gjyqësor dhe se ai mund të apelohet nga të dyja palët.

“Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”.

Në fund, Bashkimi Evropian thotë se “puna e Dhomave të Specializuara të Kosovës është e rëndësishme për promovimin e llogaridhënies dhe njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës”.

Në mbrojtje të katër ish-krerëve të UÇK-së në Prishtinë sot do të nisë një marsh paqësor nga ora 14:00 ku pritet të vijnë qytetarë nga e gjithë Kosova. Kërkesa e tyre është drejtësia për Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!