Basha tur në veri: Javën e parë në pushtet heqim traun e Rrugës së Kombit

schedule14:20 - 23 Korrik, 2019

schedule14:20 - 23 Korrik, 2019

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se javën e parë që do të vijë në pushtet, do të heqë traun e rrugës së kombit. Ky vendim është konsultuar me banorët e qarkut verior të Shqipërisë është shprehur kryedemokrati gjatë takimeve që ka zhvilluar në veri e verilindje të vendit.

I ka të përcaktuara vendimet që do të marrë javën e parë në detyrën e kryeministrit.

“Kukësi i ka prirë betejës për liri e demokraci me revoltën kundër taksës së rrugës së Kombit. Dua të shpreh vendosmërinë tonë që javën tonë të parë në qeveri do të heqim traun e rrugës së Kombit”. 

Punësimi dhe mirëqenia e shqiptarëve janë objektivi dhe prioriteti më madhi i PD dhe i tij  personalisht u thotë Lulzim Basha kuksianëve.

“I kam kërkuar strukturave të PD të bëhen gati që bashkë me qytetarët ta kthejmë shumicën Rama ik më 30 qershor, në shumicën e një ndryshimi të thellë ekonomik e politik për çdo shqiptar, për t’i dhënë fund emigracionit e kurbetit që po e tret Kukësin”.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi disa takime. Nga Tropoja ai deklaroi se qeveria ka diskriminuar bashkitë e veriut për të ndëshkuar politikisht qytetarët që nuk mbështesin qeverinë e Edi Ramës. Kreu i opozitës tha se fondet kanë shkuar për bashkitë klientët e Ramës duke iu referuar Bashkisë së Durrësit. Lideri demokrat  theksoi se qëllimi i aksionit politik të opozitës është largimi i kryeministrit, krijimin e qeverisë tranzitore që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme./ABC News Albania 24/7