Basha: Rama po tenton të përçajë protestën e studentëve

schedule15:26 - 17 Dhjetor, 2018

schedule 15:26 - 17 Dhjetor, 2018

Pasi mblodhi grupin e tij parlamentar në selinë blu si çdo të hënë, kreu i demokratëve Lulzim Basha, në dalje iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me pozicionimin e forcës së tij politike sa i përket protestës tashmë 13 ditore të studentëve. Plotësisht politike, por jo partiake e quan këtë protestë Lulzim Basha, sipas të cilit kush deklaron të kundërtën e bën për hir të shërbimit ndaj atij që më pas ua shpërblen ndryshe.

“Sot është protesta e studentëve. Partia Demokratike dhe unë e mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat dhe natyrisht që jemi atje me mish, me shpirt e me mendje. Nuk ka nevojë të bëjmë akte protagonizmi, për t’i shërbyer pikërisht propagandës së ndyrë të Edi Ramës, i cili prej 13 ditësh po i torturon këta të rinj”.

Pas muajsh të tërë bojkot nga ana e opozitës, pjesa dërrmuese e së cilës ka qënë në Kuvend në muajin korrik, duket se demokratët do të përdorin kartat e tyre të deputetit këtë jave, kur do të votohet edhe raporti i këshillit të legjislacionit dhe komisionit të ligjeve mbi vettingun në politikë. Ajo që duket se as vetë demokratët nuk e dijnë ende është nëse karriget blu të sallës së parlamentit do të jenë bosh ditën e enjte kur pritet shqyrtimi i dekretit të presidentit i cili ktheu ligjin për buxhetin 2019.

“Atë do t’jua bëjmë të ditur, pasi të kemi marrë një vendim politik, në konsultim me të gjithë aleatët”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!