Kryetari e PD Lulzim Basha ka përsëritur se shpenzimet e PD janë transparente dhe të rregullta.Kërkesës së mazhoracës se duhet të shkojë në prokurori, Basha i përgjigjet duke i kërkuar të kenë durim, e të presin rezultatin e hetimeve. Nga ana tjetër kryetari i PD tha se po përgatitet lirimi i Saimir Tahirit dhe mbyllja e hetimeve për kokainën e Durrësit. Deklaratat i bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, ku është përcaktuar strategjia e debatit të enjten në kuvend.
Lulzim Basha: “PD i ka bërë të qarta si drita e diellit të gjitha aspektet financiare dhe zgjedhore të saj dhe gjithçka ka dalë në përputhje me ligjin. As ulërimat e Edi Ramës, as dëshpërimet e Taulant Ballës nuk mund ta heqin vëmendjen nga fakti se përmes një takimi sekret ditën e premte në një spital në Kombinat dhe përmes mekanizmave të tjerë korruptivë po përgatiten dy mënxyra të mëdha: Sabotimi total i hetimeve të kokainës në Maminas dhe lirimi i Saimir Tahirit. Ndaj fokusi ynë është te interesi publik. Tek lufta ndaj krimit dhe lufta kundër drogës. Për të tjerat ju kujtoj që kemi qenë ne të parët, që kemi kërkuar verifikimin te prokuroria. Të presë Edi Rama verifikimin te prokuroria. Dje na doli një lajm që po na verifikoka dhe FBI-ja. Kur të verifikon FBI-ja, zakonisht nuk e di as presidenti i Amerikës. Nëqoftëse është ashtu të presim hetimet. Pse ngutet? Presim rezultatet e hetimit. Por ndërkohë mos të harrojmë se po përgatitet lirimi i Saimir Tahirit, po përgatitet sabotimi total për hetimin e kokainës në Maminas”.
Pyetje: Keni të dhëna konkrete për këtë çështje?
Lulzim Basha: “Kemi të dhëna dhe denoncime jashtëzakonisht shqetësuese”./abcnews.al