Kreu i PD Lulzim Basha vijon të hedhë akuza se kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta janë bashkë, por sipas tij më të vegjël se asnjëherë më parë. Në reagimin e tij, Basha thekson se PD është e çliruar nga pesha e së kaluarës.
“Demokratët dhe shqiptarët te Partia Demokratike kanë sot shpresën e vetme për ndryshim. Ne kemi sakrifikuar gjithçka për të materializuar këtë shpresë, kemi treguar se kemi forcën brenda vetes për t’u ndarë edhe nga hijet e të shkuarës edhe nga korrupsioni i të shkuarës, ndërkohë që vazhdojmë betejën me të keqen e sotme që është regjimi i Edi Ramës.
Pra nga njëra anë kemi shumicën me vete, shumica është për ndryshimin, e do këtë ndryshim, që ne e mishërojmë edhe në vizionin tonë edhe në programin tonë edhe në luftën tonë të përditshme. Dhe e dyta që do ta them fare qartë, përballë kemi si asnjëherë tjetër Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën, që së bashku janë më të vegjël se çkanë qenë kurrë më parë. Ata të tre bashkë janë pakica absolute përballë shqiptarëve. Partia Demokratike e çliruar nga pesha e të kaluarës, do ta marrë këtë shumicë për të ecur përpara drejt së ardhmes”, shprehet Basha. /abcnews.al



