Kreu i demokratëve ka vijuar turin përgatitor të protestës së thirrur më 27 Janar. Në një bashkëbisedim me qytetarët në Vorë, Lulzim Basha tha se kjo qeveri i rrit vazhdimisht qytetarëve faturën mujore, që klientët e tij të pasurohen me paratë e shqiptarëve. Për këtë Basha tha se 27 janari do të krijojë mundësinë që alternative demokrate të zgjidhet ose rrëzohet nga qytetarët, jo kriminelët që mbajnë sot në pushtet Edi Ramën.
Lulzim Basha nga Vora përsëriti tezën se një qeveri që vjen dhe qëndron në pushtet falë kriminelëve, nuk mund të ketë prioritet problemet e qytetarëve. Për këtë provë është fatura mujore e shqiptarëve si për energjinë ashtu edhe për koncesionet që nuk u ofrojnë asnjë shërbim në këmbim.
“200 milionë është borxhi total i shqiptarëve ndaj KESH-it. 200 milionë është fatura që shqiptarët paguajnë vit për vit për 5 koncensionarë, për 5 derra të krimit dhe korrupsionit që ndajnë paratë me Edi Ramën. Nuk ka asnjë arsye pse një qeveri që e ka lidhur fatin me njerëzit të mos ndërpresë menjëherë këtë marrëdhënie kriminale korruptive, të shlyejë borxhin ndaj KESH-it dhe të çlirojë qindra e mijëra familje shqiptare nga zgjedha e kamatave të padrejta të KESH-it apo nga mënxyra e rritjes së çmimit të ujit”.
Kreu i demokratëve artikuloi edhe alternativën, amnisti për pagesat e prapambetura dhe anulim i koncesionarëve korruptiv.
“Ky është plani. Ky është vendimi. Kjo është vendosmëria e demokratëve. Tu japë shqiptarëve një qeveri e cila paratë nuk i çon tek oligarkët por i çon tek qytetarët. Çmimi energjisë, çmimi i naftës, çmimi i ujit, çmimi i ushqimeve bazë janë shqetësime themelore të njerëzve. Papunësia, varfëria, mungesa e shpresës janë pasojat e drejtpërdrejta të këtyre mënxyrave që janë dhurata dhe prodhimi i vetëm i Edi Ramës për popullin”.
Kreu i opozitës tha se 27 Janari nuk është vetëm nje protestë politike e thirrur nga disa parti, por ajo do të jetë një goditja që shumica e shqiptarëve do t’i japë
Ilegjitimitetit të qeverisë duke sjellë dhe krijimin e një qeverie antimafia./abcnews.al