Basha: Banesat po prishen në kundërshtim me ligjin

schedule14:30 / 09/11/2018

Banorët në Unazën e Re protestojnë prej disa ditësh kundër prishjes së objekteve që preken nga projekti i ndërtimit të Unazës së Madhe. Sot atyre i është bashkuar kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha sipas të cilit po shkelet ligji me cënimin e pronës së rreth 300 familjeve.

Jo vetëm po ua prishin shtëpitë në kundërshtim me ligjin por po persekutohen dhe vihen në një presion të madh psikologjik.

Është ky konstatimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha pas takimit me banorët që u prishen banesat që janë pjesë e projektit të Unazës së Madhe të Tiranës.

“Nuk ka ligj për shembjen e shtëpive. Ju kanë çuar lajmërim dhe i kanë vënë kryqe me bojë për shtëpitë që do shkatërrohen. Kjo është dëshmi e rënies totale të shtetit. Familjeve nuk i është komunikuar asnjë ligj dhe asnjë akt, i cili të i jetë komunikuar familjeve, të jetë përgatitur dokumentacioni për shpronësim, t’u paguhen paratë e shpronësimit. Tu jepet kohë për të gjetur banesë tjetër. Familje të tëra janë në këtë gjëndje terrori”.

Për Kryetarin e Partisë Demokratike gjithcka tregon se kushtetuta dhe ligji ka rënë.

“Kjo është rënie e Kushtetutës dhe e ligjit, sepse Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë një projekt bashkë me një grusht oligarkësh dhe banditësh me të cilët ndajmë paratë dhe pushtetin. Kjo është dëshmia më e qartë se ku ka përfunduar Shqipëria dhe sa e rrezikshme është kjo bandë në pushtet”.

Ngjarje e paralajmëruar është kjo e fundit sipas kreut demokrat.

“E kam paralajmëruar kur nisi afera Rama-Fusha se ajo që nis me prishjen e Teatrit Kombëtar shumë shpejt do të jetë në prangun e shqiptarve. Tani ajo ka arritur në prangun e mbi 300 familjeve”. /abcnews.al

 

 

 

 

schedule14:30 / 09/11/2018