“Bardhi sulmoi mediat me gjuhën e Berishës”, Gjikondi: Çështjes ‘Kurum’ t’i shkohet deri në fund, të nxirren përgjegjësit

schedule18:33 - 29 Gusht, 2024

schedule 18:33 - 29 Gusht, 2024

TIRANË– Teksa dërgimi i mbetjeve të dyshuara të rrezikshme që kanë dalë nga kompania Kurum drejt Tajlandës është temë ditë, opozita nuk është dëgjuar në asnjë deklaratë për këtë çështje. Shkak për këtë heshtje  duket se është përfshirja e interesave të saj në ato të kompanisë turke.

Kjo vërtetohet nga dokumentacionet e Kurum në qendrën kombëtare të biznesit ku rezulton se administrator i kompanisë “Energy Resources” ose me emrin e mëparshëm “Kurum Energy”, është drejtori i Shtabit Elektoral të Gazmend Bardhit në Elbasan gjatë zgjedhjeve të 2021, Lorenc Hastopalli.

Gazment Bardhi reagoi duke sulmuar mediat, të cilat gjatë të mërkurës zbuluan dhe e raportuan këtë lidhje, e cila faktoi arsyen se pse Partia Demokratike kishte kyçur gojën për këtë çështje.

Avokatja Brizida Gjikondi, e ftuar në “Special Report” u shpreh se Bardhi e di shumë mirë që po të hetohet më shumë rreth Kurum, ai do jetë i parë që do vishet me përgjegjësi morale dhe politike.

Sipas Gjikondit, mënyra dhe gjuha që përdori Bardhi për të sulmuar mediat, është tipike e njëjtë me atë të Sali Berishës.

“Bardhi është nga ata që mbahen mend shumë mirë  kur ishte në krye të Elbasanit, administratorin e Kurum e kishte në krye të shtabit elektoral. Ai e di shumë mirë se po të preket ajo plagë e qelbur, ai është  i pari që del para përgjegjësive morale dhe politike. Mënyra se si sulmoi mediat, është tipike si e Berishës”, tha ajo.

Ajo theksoi se çështjes së Kurum duhet t’i shkohet deri në gjenezë dhe prej ndej, drejtësia shqiptare duhet të nxjerrë përgjegjësitë civile dhe penale të personave të përfshirë në abuzime.

“Nëse do hetohet Kurum, do ishte mirë të shkohet në gjenezë, te Berisha dhe Bardhi. Në rast se shikohen të gjitha aktet e saj, bëhet një radiografi  dhe një skaner i detajuar i të gjitha përgjegjësive. Ai përpiqet gjithmonë të flasë me emocione agresive me qëllim që të fshehë të vërtetën. Sa herë ka pasur çështje ku ka pasur dhe janë përfshirë biznese preferenciale, ajo ka qëndruar në heshtje.  Bardhi e mbron kompaninë me porosinë e Berishës. Shefi i shtabit të Bardhit si administrator i Kurum, në konflikt interesi. Kjo çështja është mirë të hetohet nga drejtësia dhe të dalin përgjegjësitë civile dhe penale”, theksoi Gjikondi./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!