Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka akuzuar Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku se ka gënjyer me deklaratën e saj se Posta nuk gjeti dot adresën e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku për ta njoftuar se duhet të depozitojë shenjën e gishtërinjve. Në një dalje nga selia blu, numri dy i demokratëve theksoi se në një rast të paprecedentë, Posta Shqiptare e përgënjeshtroi Arta Markun.
Bardhi kujtoi se përmes këtij veprimi kryeprokurorja në detyrë e mbrojti Kajmakun nga ligji i dekriminalizimit, i cili parashikon që për personin që nuk jep shenjat e gishtërinjve 5 ditë nga marrja e njoftimit humbet menjëherë mandatin.
“Arta Marku është kapur në flagrancë duke gënjyer shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur kriminelin e Edi Ramës në Bashkinë e Vorës nga dhënia e gjurmëve të gishtërinjve. Në një rast të paprecedentë, Posta Shqiptare e përgënjeshtroi Arta Markun, e cila deklaroi dje se nuk i ka marrë shenjat e gishtërinjve të Agim Kajmakut, për shkak të postierit që nuk i ka gjetur adresën. Mashtrimi publik i Arta Markut për të mbrojtur kriminelin e Edi Ramës në Bashkinë e Vorës u provua si i tillë nga Posta e Tiranës, e cila ka deklaruar se ka të gjitha dokumentet që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin për të dhënë gjurmët e gishtërinjve në datën 29 Gusht. Ka një arsye pse Arta Marku është detyruar të gënjejë publikisht për të justifikuar mosdorëzimin e gjurmëve të gishtërinjve të Agim Kajmakut. Sipas ligjit të dekriminalizimit, personi që nuk jep shenjat e gishtërinjve 5 ditë nga marrja e njoftimit, humbet menjëherë mandatin dhe shkarkohet nga funksioni shtetëror”, tha Bardhi.
Disa ditë më parë, PD publikoi dokumentet në të cilat sipas saj rezulton se Agim Kajmaku është arrestuar në Greqi për përdorim dhe shpërndarje të kartëmonedhave false./ABC News Albania 24/7