Banorët në Berat: Jemi dëmtuar nga tërmeti i fundit

schedule19:16 - 22 Dhjetor, 2019

schedule 19:16 - 22 Dhjetor, 2019

Tërmeti i 26 nëntorit ka lënë pasoja edhe në zona të tjera të vendit. Janë disa familje në Urën Vajgurore të Beratit që pretendojnë se banesat e tyre janë dëmtuar nga tërmeti i fundit. Familja Totaj nga Ura Vajgurore, jeton në kushte të vështira ekonomike në një banesë modeste, e cila sipas të zotit të shtëpisë u rrënua edhe më shumë nga tërmeti i 26 nëntorit.

Kryefamiljari Reshat Totaj tregon pamjet e banesës së tij, ku duket e qartë çarja e rënia e mureve, por edhe e tavanit. Ai thotë se vlerësimet e autoriteteve e kanë nxjerrë të pabanueshme shtëpinë e tyre. Familja 4 antarëshe po jeton në këtë çadër në oborrin e shtëpisë.

Ky mjet i përkohshëm strehimi i është ofruar nga bashkia, bashkë me ndihma ushqimore. Por me stinën e dimrit përpara, familja e tij e ka të vështirë të ketë si banesë këtë çadër.

“Na kanë sjellë një çadër, por ajo mban ujë. Nuk di çfarë të them”, shprehet Reshat Totaj.

Banesa e familjes Totaj është një nga 5 banesat e vlerësuara si të pabanueshme në këtë zonë të Urës Vajgurore. Puna për verifikimin e banesave të tjera të dëmtuara nga tërmeti po vijon, por me ritme tejet të ngadalta nga Bashkia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!