Bankat nuk japin kredi, pasiguri për gjendjen ekonomike

schedule19:00 - 21 Prill, 2021

schedule 19:00 - 21 Prill, 2021

Nga Erblina Mile

Biznesi i vogël dhe i mesëm ka qenë më i penalizuari nga bankat e nivelit të dytë në vend persa i përket kreditimit. Banka e Shqipërisë ka publikuar  një raport për tre muajt e parë të vitit 2021 ku konstatohet se bankat kanë shtrënguar kriteret për dhënien e një kredie si në aspektin e interesave, proçedurave ashtu edhe të kolateralit.

Kjo situatë sipas bankave u ndikua nga perceptimi mbi rrezikun lidhur me situatën ekonomike si edhe mbi aftësinë paguese dhe gjendjen aktuale të bizneseve. Zgjatja e periudhës së pandemisë, së bashku me pasiguritë rreth saj, ndikoi direkt në shtrëngimin e standardeve të kreditimit këtë tremujor.

Megjithatë situata nuk është e njëjtë për  kreditimin ndaj individëve. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë kërkesat e individëve kanë qenë më të larta për financimin e konsumit  dhe blerjen e banesave një fenomen ky që tregon ndër të tjera edhe vështirësi financiare.

Ky segment i kredisë nuk është prekur  nga pandemia. Vetëm për blerje banesash rritja rezulton të jetë 9.2%. Sipas statistikave Kreditimi në 2 muajt e parë të këtij viti rezulton se ka pësuar një ulje me rreth 20 % edhe nëse e krahasojmë me vitin 2019.

Sipërmarrjet private kanë  marrë vetëm 15.8 miliard lekë ose 128 milion euro  ndërsa sektorët me uljen më të madhe janë transporti, tregtia dhe bujqësia që gjithashtu janë sektorët më të dëmtuar nga pandemia  gjatë vitit 2020.

Problem mbetet fakti që edhe për tremujorin e dytë të këtij viti standardet e kreditimit për bizneset priten të mbeten thuajse të pandryshuara.

Kjo nënkupton që ekonomia shqiptare do vijoj të jetë e ndikuar nga pandemia . Bankat gjykojnë të aplikojnë standarde të njëjta kreditimi mbi kreditë për bizneset e mëdha, si edhe për të dyja kategoritë e qëllimit të përdorimit të kredisë: atë për investime dhe për mbulimin e nevojave për likuiditet. Ndërkohë, standardet e kreditimit për bizneset e vogla e të mesme priten të lehtësohen disi./ abcnews.al