Bizneset mund të nisin të aplikojnë për të përfituar kredi me interesa të ulëta në kuadër të nismës Dyfisho Sipërmarrjen që prej 1 korrikut.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj deklaroi se programi do të ofrojë një mundësi të re financimi për zgjerimin dhe zhvillimin e aktivitetit të tyre.
“Bizneset do financohen me normë interesi nga 2 deri në 3 përqind. Bizneset të informohen mbi potencialet që kanë programet, që të rrisim produktivitetin, që të rrisim eksportet dhe me qëllim aksesi në tregun europian. Qeveria do të vijojë të mbështesë bizneset.
Ne rishikuam Strategjinë Kombëtare të Punësimit, që të zgjerojmë aktivitetin e garancisë rinore, që iu dedikohet të rinjve dhe të rejave, që duan të punësohen. Nëse nuk kanë një aftësi, kanë mundësi që të aftësohen.
Programi Hospitality Albania është program, që parashikon menaxhimin e Strukturës Qeveritareve në Vlorë dhe në Velipojë. Qëllimi i programit është që asetet shtetërore të rikualifikohen dhe të shfrytëzohen me qëllim fitimi, në bashkëpunim me privatin. Prona shtetërore në asnjë rast nuk i transferohet privatit”, tha Ibrahimaj.
Ndërkohë ministri I financave Petrit Malaj theksoi se Banka Shqiptare për Zhvillim ka avancuar dhe do të jetë një mundësi më shumë për të financuar bizneset.
“Në mbledhjen e sotme të qeverisë, patëm një prezantim nga Banka Shqiptare e Zhvillimit. Ky institucion financuar do ketë një potencial për të financuar kompanitë. Koncepti i bankës është që të financojë ato sektorë që janë të nënfinancuar, si dhe të financojë dhe projekte strategjike të qeverisë shqiptare. Prioritet janë sektori i bujqësisë, agro-përpunimi, projekte strategjike për vendin, janë SME-të, banesat sociale, si dhe projekte që kanë të bëjnë me eficencën e energjisë. Do jetë një institucion, që do financojë sektorët që nuk kanë askses në financë ose që janë të nënfinancuar”, u shpreh ministri Malaj.


