Banka e Shqipërisë, plan masash për të ulur përdorimin e Euros

schedule19:36 - 7 Shkurt, 2018

schedule 19:36 - 7 Shkurt, 2018

Banka e Shqipërisë miratoi planin e masave për të ulur përdorimin monedhës europiane në institucionet bankare dhe jo bankare në vend. Guvernatori Gent Sejko deklaroi se ekonomia do të jetë e mbrojtur nga risku i kursit të këmbimit.

Banka e Shqipërisë vë në dukje përdorimin e lartë të valutave të huaja ne ekonominë vendase. Për të ulur përdorimin e euros dhe rritur atë të monedhës vendase ka miratuar një paketë masash ligjore. Guvernatori e publikoi vendimin pas Mbledhjes se Keshillit Mbikëqyrës.

Gent Sejko: “Procesi i deeuroizimit është i nevojshëm dhe dobiprurës në afatin e gjatë, si për përmirësimin e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare ashtu edhe për uljen e rreziqeve të stabilitetit financiar. Studimet dhe analizat tona evidentojnë se përdorimi i valutave të huaja në sferën e aktivitetit të brendshëm ekonomik e financiar është në një shkallë relativisht të lartë. Ky fenomen lidhet si me përdorimin e lartë të valutave në transaksionet tregtare, ashtu edhe me përdorimin e lartë të tyre si mjet kursimi, në formën e depozitave bankare, apo edhe si mjet financimi, në trajtën e kredimarrjes në valutë”.

Bankat që japin kredi në euro ose pranojnë depozita në këtë monedhë do të kenë kosto më të lartë. Ndërsa në ekonominë vendase, sipas Guvernatorit, pritet ulje e riskut që vjen nga kursi i këmbimit.

Gent Sejko: “Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme pra, më pak të preferuar, veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve, veçanërisht të atyre individë dhe të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit, për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Këto ndryshime, hyjnë në fuqi brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti”.

Banka e Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën e interesit në nivelin e 1.25 %.

Ndërsa Guvernatori u shpreh për një ecuri të ngadaltë të kredisë. Kjo sipas tij vjen si pasojë e kursit të shtrenguar dhe kërkesës së ulët. Sa i përket kredive me probleme, Dhjetorin e kaluar arritën nivelin më të ulët. Raporti ndaj totalit ishte 13.2%.

Ndërkohë gjashtë mujorin e dytë të 2017-s, Guvernatori Sejko deklaroi se ekonomia ka vijuar të rritet ndonëse më ngadalë se gjashtë mujroin e parë.

Përshpejtimi i rritjes ekonomike, sipas Sejkos, kërkon vijimin e reformave strukturore dhe nxitje të prodhimit vendas./abcnews.al