Azi/ Kina tregon “muskujt” ndaj Tajvanit

schedule19:45 - 17 Janar, 2018

schedule 19:45 - 17 Janar, 2018

Kina ka treguar edhe njëherë se është ajo fuqia që “bën ligjin” në rajonin e Azisë. Pekini ka nxjerrë në ujërat territoriale të fqinjëve aeroplanmbajtësen e saj. Ndaj kësaj lëvizjeje ka reaguar i irrituar ishulli autonom i Tajvanit.

Aeroplanmbajtësja e vetme operacionale kineze ka përshkuar këtë të mërkurë ujërat e Ngushticës së Taivanit, duke shkaktuar reagimin e ishullit.
Ministria tajvaneze e Mbrojtjes e ka cilësuar këtë veprim të Pekinit një presion ndaj rivalit të tij demokratik.

Ekspozimi i forcës nga ana e qeverisë kineze vjen disa javë pasi presidentja e Taivanit, paralajmëroi “ekspansionin ushtarak” të fqinjit, që ka intensifikuar stërvitjet detare dhe ajrore në dy vitet e fundit. Kina e sheh ishullin që vetëqeveriset si pjesë të territorit të saj, që herët a vonë duhet t’i bashkohet “tokës mëmë”. Marrëdhëniet mes dy anëve të ngushticës janë ftohur pasi presidentja refuzon ta njohë Taivanin si pjesë e “një Kine të vetme”.

Aeroplanmbajtësja, një anije sovjetike e dorës së dytë, acaroi autoritetet në Tajvan kur përshkoi për herë të parë ngushticën në janar të vitit të kaluar, veprim që u konsiderua si tregim force. Këtë të mërkurë, ministria taivaneze e Mbrojtjes deklaroi se anija, e shoqëruar nga mjete më të vogla lundruese dhe avionë, hyri në zonën e mbrojtur të ishullit në orët e para të mëngjesit dhe u largua rreth mesditës.

Taipei zyrtar e vlerësoi gjithashtu lëvizjen si të motivuar politikisht, duke nënvizuar se ajo kërcënoi sigurinë e Tajvanit./abcnews.al