Austri, Sebastian Kurz drejt fitores më 29 shtator

schedule22:20 - 25 Shtator, 2019

schedule 22:20 - 25 Shtator, 2019

Lideri austriak Sebastian Kurc duket se ka në xhep fitoren në zgjedhjet e parakohshme të 29 shtatorit. Por pavarësisht suksesit të pritshëm, për të patur mazhorancën në Parlament kancelarit 33-vjeçar do t’i duhet të kërkojë aleanca me partitë e tjera. Këto të fundit nuk kanë ndërmend të aderojnë në një koalicion pa kushte.

Kancelari austriak Sebastian Kurc pritet të dalë fitues në zgjedhjet e parakohshme të ditës së diel, të shkaktuara pas publikimit të një video-skandali që çoi më herët gjatë vitit në rrëzimin e koalicionit të tij me ekstremistët e djathtë. Sipas mediave austriake, sondazhet e nxjerrin liderin 33-vjeçar favorit, por megjithatë atij do t’i duhet të bëjë aleancë me partitë e tjera për të siguruar një mazhorancë parlamentare. Gjasat janë që Partia Popullore e Kurc të lidhet me partinë e të Gjelbërve, por këta të fundit nuk do ta japin konsensusin e tyre pa u plotësuar më parë një sërë kushtesh. Subjekti politik në fjalë ka deklaruar se do të zhvillojë bisedime për koalicion me Kurc vetëm nëse ai i merr seriozisht propozimet e tyre për mbrojtjen e ambjentit. “Nuk pres që Kurc të jetë shumë fleksibël që në fillim”, ka thënë kreu i të Gjelbërve, Verner Kogler në lidhje me bisedimet paraprake. Por ai u shpreh besimplotë se me lëshimet e duhura një marrëveshje koalicioni është e mundur. Opsione të tjera të Kurc do të jenë një koalicion tjetër me ekstremin e djathtë, një lidhje me social-demokratët, ose me liberalet e Neos. Sidoqoftë, si më të akredituarit, të Gjelbërit pretendojnë në paketën e tyre për ambjentin dhënien fund të subvencioneve për karburantet tradicionale dhe që buxheti i planifikuar për to, deri në 4.7 miliardë euro, të shkojë për përmirësimin e transportit publik dhe burimet e energjisë së rinovueshme. /ABC News Albania 24/7