Atentati ndaj prokurorit, Kikia: Më shumë se fajtor, viktimë e sistemit të drejtësisë

schedule22:03 - 4 Nëntor, 2019

schedule 22:03 - 4 Nëntor, 2019

“Një prokuror i suksesshëm që hidhet në rrugë nga shefat e tij se preku në tela mafien. Pasi kthehet në detyrë është bërë pjesë e klaneve kriminale. Një njeri i inkriminuar në makinë me të, që duhet të ishte arrestuar”. Janë këto disa nga treguesit e ngjarjes ku iu bë atentat makinës së prokurorit Arjan Ndoj, sipas drejtorit të Informacionit në Klan Plus Mentor Kikia.

“Kjo është histori tipike e kriminalizimit të të gjitha  të strukturave të shtetit, një prokuror i shtetit që nuk ishte rastësisht në makinë  me një person me precedentë penalë, por në shoqëri të konsoliduar prej shumë vitesh, lë të kuptosh se ku ka degraduar sistemi i drejtësisë. Kemi të bëjmë me një precedent penalë, i cili vetëm pasi u plagos u mësua që dhunoi biznesmenin libanez. Policia e dinte, personi ishte denoncuar publikisht me foto e emër  dhe pyetja që ngremë të gjithë është pse nuk është arrestuar?. Pse nuk është ndërhyrë për t’i parandaluar këta njerëz? Prania e prokurorit është një minus për besueshmërinë e sistemit të drejtësisë”.

Sipas tij prokurori më shumë se përgjegjës apo fajtor, është viktimë e këtij sistemi të drejtësisë.

“Ky prokuror për mua nuk mund të konsiderohet si etalon i së keqes, më shumë se përgjegjës apo fajtor do ta quaja viktimë të këtij sistemi. Ky prokuror në kohën e emërimit ka qenë në elitën e magjistarturës, ka qenë shumë i zoti dhe është pushuar nga puna, është hedhur në rrugë se hetoi një çështje ndaj një trafikanti të konvertuar në biznesmen, që më vonë iu sekuestruan dhjetra miliona euro prona e asete. Dhe ky u hodh në rrugë në kushte të rënda ekonomike dhe punoi si avokat duke marrë në mbrojtje një sërë njerëzish që i përkisnin sferës së zezë të botës së krimit dhe në këtë periudhë ka vendosur raporte me njerëz të inkriminuar, pasi fitoi gjyqin për shkarkimin në mënyrë të padrejtë vazhdoi të ishte një prokuror me të tjera lidhje”. abcnews.al