Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 23 vjeçar dhe bën të ditur se ka parandaluar një vrasje. Sipas njoftimit zyrtar, i riu është arrestuar në flagrance nga blutë e komisariatit 6, në një lokal në rrugën Teodor Keko. Në momentin e arrestimit 23 vjeçari Albert Gjonpalaj kishte me vete në çantë një pistolete me 5 fishekë luftarakë.
Sipas policise, ai ishte person i shpallur në kërkim për veprat penale ”Vrasja me dashje, e mbetur ne tentativë” në bashkëpunim dhe ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Ngjarja për të cilën akuzohet Gjonpalaj ka ndodhur në 13 maj të vitit te kaluar, në bulevardin “Bajram Curri” në kryeqytet. Pas një konfikti të çastit, ai akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri një shtetas.
Po ashtu 23 vjeçari nga Tirana Albert Gjonpalaj ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Njoftimi i Policisë
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, si dhe falë bashkëpunimit shumë të frytshëm me aleatin më të çmuar të Policisë së Shtetit, qyetarët, shërbimet e Seksioneve për Krimet në Komisariatin e Policisë Nr. 6, pas informacioneve të marra për një person në kërkim, i cili ndodhej në një lokal në rrugën “Teodor Keko” dhe dyshohej se kishte dhe armë zjarri me vete, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin e koduar “Aleati”, i cili u finalizua me kapjen në flagrancë të shtetasit:
Albert Gjonpalaj 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Në momentin e kapjes në lokal, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga Policia, këtij shtetasi iu gjet në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë me 5 fishekë luftarakë.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprën penale ”Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Shtetasi Albert Gjonpalaj më 13.05.2018, në bulevardin “Bajram Curri”, pas një konfikti të çastit, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. B., i cili ka mbetur i plagosur.
Materialet procedurale do t’i kalojne Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme. /ABC news Albania 24/7


