Arrestohen 5 persona në Tiranë, policia jep detajet

schedule11:18 - 10 Korrik, 2020

schedule 11:18 - 10 Korrik, 2020

Policia e Tiranës ka arrestuar pesë persona me akuza të ndryshme penale.

Siç bëjnë me dije burime zyrtare, specialistët e komisariatit nr.1 arrestuan një 40 vjeçar nga Petrela me akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.

Raportohet se gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe të pyllëzuar në malin mbi Urën e Farkës, Njësia Administrative Petrelë, janë gjetur të mbjellë disa fidanë të dyshuar cannabis sativa.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 kanë bërë ekzekutim e vendimit penal, për shtetasin D. B., 47 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë dhe Gjykata e Apelit Tiranë e kanë dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Gjithashtu nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit D. D., 61 vjeç, pasi dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, ka përndjekur, ka kryer veprime të turpshme dhe ka ngacmuar seksualisht një shtetase.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. B., 24 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë personale shtrënguese “Për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve” dhe është konstatuar jashtë banesës.

Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Sh., 42 vjeç, pasi në rrugën “Llazar Xhajanka”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, në prezencë të fëmijës së tyre të mitur.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

•K. K., 21 vjeç, pasi në rrugën “Ali Shefqeti”, u kap në flagrancë duke drejtuar motoçikletën pa lejen përkatëse;

•R. Ll., 37 vjeç, pasi në rrugën “Dritan Hoxha” u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.54 mg/l.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.