Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Arratisja spektakolare nga Spitali i Serres/ Kush është Gentian Çipi, i akuzuar për vrasje, trafik droge dhe veprimtari të dhunshme

schedule10:55 - 12 Shtator, 2026

schedule 10:55 - 12 Shtator, 2026

Gentian Çipi, 41-vjeçari nga Korça, është vënë në qendër të një operacioni të gjerë kërkimi nga autoritetet greke, pas arratisjes së tij nga Spitali i Serres.

Çipi, i cili ndodhej i paraburgosur në burgun e Nigritës, ishte transportuar drejt spitalit pasi kishte deklaruar se kishte probleme shëndetësore. Por transferimi përfundoi me një arratisje spektakolare, ku sipas autoriteteve greke, persona të armatosur ndërhynë ndaj eskortës që e shoqëronte.

Autorët dyshohet se bllokuan dhe çarmatosën efektivët e sigurisë, duke i hapur rrugën largimit të 41-vjeçarit.

Ndërkohë, emri i Gentian Çipit nuk është i panjohur për drejtësinë. Ai rezulton të ketë pasur probleme me ligjin si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi.

Dënimi në Shqipëri dhe procedimi për kamerat e paligjshme

Me origjinë nga Korça dhe banues në Dishnicë, Çipi është përfshirë në disa episode të hetuara nga autoritetet shqiptare.

Në korrik të vitit 2024, ai u dënua me dy vite burg për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, në lidhje me djegien e një automjeti në Korçë, ngjarje e regjistruar më 24 prill 2023.

Edhe më herët, në janar 2023, ai ishte proceduar në kuadër të operacionit policor të koduar “Fijet”. Gjatë hetimeve, pranë banesës së tij u konstatuan kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme.

Dyshohet për plagosjen e një 25-vjeçari në Selanik

Në Greqi, ndaj 41-vjeçarit rëndojnë akuza edhe më të rënda. Hetimet lidhen me një ngjarje të ndodhur më 3 shtator 2024 në zonën Pylaia të Selanikut.

Sipas autoriteteve greke, Çipi akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj një 25-vjeçari. Hetuesit pretendojnë se ai ka qëlluar me armë zjarri ndaj të riut pranë një kantine, duke e plagosur në kraharor dhe në dorë.

Arrestimi i tij u realizua në shtator të vitit 2025, gjatë një operacioni policor në Selanik. Bashkë me të u arrestuan edhe dy shtetas të tjerë nga Korça, Enea Basholli dhe Kleo Topa.

Sipas të dhënave të policisë greke, gjatë operacionit Çipi dhe Topa tentuan t’i shpëtonin arrestimit me automjet. Ata përplasën një makinë të policisë dhe më pas vijuan largimin në këmbë, por u neutralizuan dhe u arrestuan nga efektivët.

Armë, drogë dhe mijëra euro të sekuestruara

Operacioni çoi në zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armësh, lëndësh narkotike dhe parash.

Mes materialeve të sekuestruara ishin një kallashnikov me 30 fishekë, tre pistoleta, një silenciator, si dhe rreth 31 kilogramë marijuanë.

Policia greke gjeti gjithashtu dokumente të falsifikuara, telefona celularë, tre automjete dhe 23 mijë e 350 euro.

Sipas hetimeve, Çipi dyshohet se kishte një rol drejtues në një grup kriminal të përfshirë në trafik droge dhe veprimtari të tjera të dhunshme.

Në kërkim pas arratisjes nga Spitali i Serres

Pas arratisjes, autoritetet greke kanë nisur një operacion për kapjen e 41-vjeçarit dhe identifikimin e personave të armatosur që ndërhynë për ta nxjerrë atë nga spitali.

Një nga çështjet që po hetohet është edhe vetë transferimi i tij nga burgu drejt Spitalit të Serres. Hetuesit po verifikojnë nëse shqetësimi shëndetësor i pretenduar nga Çipi ka qenë real, apo nëse dërgimi në spital ishte pjesë e një plani të organizuar paraprakisht për të realizuar arratisjen.

Kërkimet për Gentian Çipin vijojnë, ndërsa autoritetet greke po përpiqen të zbardhin të gjithë mekanizmin e arratisjes, personat që morën pjesë në të dhe mënyrën se si u organizua ndërhyrja e armatosur.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!