Armiku i madh i Skënderbeut, akuza të rënda nga Italia për Sportradar

schedule13:27 - 2 Nëntor, 2019

schedule13:27 - 2 Nëntor, 2019

Bastet e paligjshme janë një fenomen që drejtësia në vende të ndryshme është munduar shpesh ta luftojë. Në Itali, i penduari Fabio Lanzafame ka dëshmuar dhe ka bërë që të arrestoheshin 33 persona në Kalabri, 13 në Siçili dhe 22 në rajonin e Puljas.

Akuzat janë nga më të ndryshmet, për aktivitet të paligjshme bastesh, mashtrime të rënda deri në dëmtimin e shtetit dhe pastrim parash. Nga ky operacion u bllokuan asete deri në vlerën e 4.8 miliard eurove.

Grupet mafioze, mes viteve 2015-2017, kishin arritur të çanin në tregun e basteve në internet dhe fitimet ishin shumë të mëdha. Ato krijonin kompani anonime në Maltë dhe ishullin Curacao dhe ofronin baste me kuota më të larta se kompanitë legjitime, si dhe bënin pagesa “cash”.

Lanzafame, që tani është marrë në mbrojtje, është truri i gjithë këtij aktiviteti. Kuotat bliheshin nga Betradar, filial i Sportdadar, teksa pagesat bëheshin në të zezë, sikurse thotë italiani i arrestuar.

Kompania zvicerane ka konfirmuar bashkëpunimin me Probet&Soft Sportwetten GmbH, që zotërohej nga Lanzafame. Në artikullin e “Businessinsider” raportohet se Sportradar nuk ka raportuar për pesë ndeshje të Catania, ku kishte baste të çuditshme. Gjithashtu flitet edhe për pagesa dhe emaile të shkëmbyera në lidhje me hetimin.

Kompania e kontraktuar nga UEFA për të evidentuar ndeshjet me probleme, Sportradar (sistemi BFDS i ndërtuar prej tyre evidentoi luhatjet e koeficienteve në ndeshjet e Skënderbeut dhe më pas UEFA dënoi korçarët), ka hedhur poshtë akuzat, teksa shkruan në faqen zyrtare se gjithçka është e pavërtetë, jo korrekte dhe e deformuar nga “Businessinsider”. /abcnews.al

/abcnews.al