Arka e shtetit mbledh më shumë para/ Ministria e Financave: Deri në shtator, 51 miliardë lekë më shumë

schedule14:11 - 18 Tetor, 2024

schedule 14:11 - 18 Tetor, 2024

Turizmi ka dhënë efekte  pozitive edhe në  të ardhurat në arkën e shtetit. Në 9 muaj në buxhet janë arkëtuar 516 milionë euro.  Sipas  treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale, për periudhën janar-shtator , arritën në rreth 528.4 miliardë lekë ose rreth 51 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.

Performancën më të mirë gjatë kësaj periudhë e kanë pasur të ardhurat tatimore, të cilat për 9-mujorin 2024 u realizuan në masën 170.6 miliardë lekë,Kontribut kryesor në këtë performancë kanë dhënë të ardhurat nga TVSH që lidhet direkt me konsumin gjatë sezonit veror.

Këtë vit Shqipëria priti 30% më tepër turistë të huaj krahasuar me një vit më parë .Sipas treguesve fiskalë TVSH në import  për 9-mujorin rezultoi 115 miliardë lekë, lekë ose 7% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Po ashtu edhe  të ardhurat nga TVSH e arkëtuar  nga shitja e shërbimeve por edhe e produkteve u realizua në masën 43 miliardë lekë, ose 20% më shumë se 9-mujori 2023.

Vërehet që edhe prej akcizës, e cila është një taksë që aplikohet kryesisht në pije alkoolike e duhan janë mbledhur më shumë para nëse e krahasojmë me një vit më parë. Edhe niveli i investimeve në vend  gjatë këtij viti ka pasur një  ecuri të kënaqshme.

Nga të dhënat vërehet se në periudhën janar-shtator janë shpenzuar rreth 459 miliardë lekë  ose  8 % më shumë nëse e krahasojmë me një vit më parë. Po ashtu  rimbursimi i TVSH-së për bizneset rezulton me ecuri të mirë dhe për  periudhën 9-mujore 2024 janë 19.1 miliardë lekë, ose 31% më shumë se 9-mujori 2023.

Në këtë ecuri ka ndikuar edhe shkurtimi i afateve për shlyerjen e detyrimeve ndaj bizneseve.

TE ARDHURAT SIPAS ZERAVE:

TVSH në import     115 miliardë lekë

TVSH e arkëtuar     43 miliardë lekë

Akciza                        47.2 miliardë lekë

Renta minerare           2 miliardë lekë

Taksat doganore      6.6 miliardë lekë

Taksat nacionale      34 miliardë lekë/ abcnews.al