Anulimi i PPP-ve? Rama: Në asnjë mënyrë! Nuk ndalojmë hemodializën apo kontrollin shëndetësor

schedule18:52 - 2 Dhjetor, 2019

schedule 18:52 - 2 Dhjetor, 2019

Kryeministri Edi Rama, teksa fliste për mediat nga Durrësi u pyet edhe për anulimin e koncesioneve në mënyrë që paratë të shkojnë për të përballuar situatën e rëndë që shkaktoi termeti. Rama tha se kjo nuk ka asnjë mundësi të ndodhë sepse nuk mund të mbeten pa shërbim të sëmurët që bëjnë dializën apo ata që bëjnë kontrollin shëndetësor bazë (check up).

“Për sa i përket pastaj histerisë për oligarkët, unë nuk e di se cilët nga ata që fshihen pas këtij emri të hiqen. A duhet të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë të popullsisë, për të rindërtuar? Jo! Duhet të ndalojmë pagesat për hemodializën e atyre njerëzve që shyqyr që ju ra trupi rehat, aq sa mund t’u bie atyre njerëzve që kanë sëmundje të rëndë në trup; Duhet të ndalojmë pagesat për instrumentet mjekësore që e kemi ulur thuajse në zero numrin e infeksioneve? Jo! Duhet të ndalojmë punimet për Rrugën e Arbrit? Në asnjë mënyrë! Do t’i bëjmë të dyja dhe kjo do të shikohet ditë pas dite.

Nëse ka ide se si mund t’i bëjmë këto gjëra jo për propagandë, jo për t’ia hequr njërit dhe për t’ia dhënë tjetrit, atëherë janë të mirëseardhura, përndryshe janë deklarata që mund të hidhen… Janë deklarata që nuk i shërbejnë as Lulzim Bashës dhe as forcave të tjera politike, prandaj është mirë të vijnë në tryezë”, u shpreh Kryeministri.