Anëtari i Bundestagut flet për modelin e liderëve të fortë: Pse Gjermania duhet t’i mbajë sytë hapur për zhvillimet në rajon

schedule09:44 - 8 Prill, 2020

schedule 09:44 - 8 Prill, 2020

Një ligj i diskutueshëm emergjence i lejon kryeministrit Orban të qeverisë pa kufizim kohor me dekret. Presidenti i SOG-së, Manuel Sarrazin paralajmëron ndaj devijimeve të përhershme në ndarjen e pushteteve në Hungari.

Javën e kaluar, kryeministri hungarez Viktor Orbán përfitoi prej parlamentit që miratoi një ligj të ashtuquajtur emergjence, kompetenca të gjera. Ai tani mund të qeverisë praktikisht me dekret. A është ky fundi i demokracisë në Hungari apo një hap i domosdoshëm në krizën e Coronës?

Manuel SarrazinGjëja e pazakontë është që kjo e drejtë nuk është e kufizuar në kohë, por vlen deri në anulimin e saj dhe që njëkohësisht Parlamenti mund të mos jetë në gjendje të mblidhet për shkak të situatës së Coronës. Kjo do të thotë që qeveria hungareze mund të ketë mundësinë të punojë me këtë legjislacion në mënyrë të vazhdueshme pa kontrollin parlamentar. Dhe kjo, nëse zt. Orbán do ta bënte këtë në plan afatgjatë, vërtetë mund të përbëjë një ndryshim të përhershëm në ndarjen e pushteteve në Hungari.

Ju përdorni mënyrën kushtore. A keni frikë se kriza aktuale është një justifikim për të vendosur ndryshime të tilla përgjithmonë?

Unë në fakt mendoj që herët a vonë zoti Orbán do të rikthehet në stilin e deritanishëm të qeverisë së tij. Vendi është edhe në gjendjen e tanishme ose në atë të mëparshme në një shkallë të një demokracie pa alternativë, një mungesë të konstruktuar alternativash në drejtim të Fidesz, pra unë nuk shoh ndonjë nevojë pse tani duhet të vendoset formalisht një diktaturë në thonjëza. Në të njëjtën kohë, sigurisht mund të lejohet që ai gjithashtu të përdorë këtë kohë të mungesës së kontrollit dhe të debatit publik për të instaluar masa të caktuara kufizuese, siç është çështja e mbulimit të lirë mediatik të sëmundjes.

Nisur prej këtij kërcënimi për lirinë e shtypit dhe ndarjen e pushteteve, a nuk duhet që më në fund të merren masa më të rrepta nga ana e BE-së, dhe gjithashtu edhe e Gjermanisë?

Para së gjithash, unë mendoj se është e rëndësishme të shikojmë nga afër se deri në çfarë shkalle këto fuqi për të marrë masa shumë drakoniane, të cilat i janë dhënë zt. Orbán nga Parlamenti – gjoja për të luftuar pandeminë – vërtetë çojnë në një trajtim më efektiv të sëmundjes në Hungari. Deri tani, lajmet që marr nga Hungaria tregojnë se ka shumë pak teste, se ka informacion shumë të keq për popullatën. Dhe mbretëron një konfuzion i madh se si është situata në të vërtetë …

Kjo do të thotë se mendoj duhet ta vendosim gishtin në plagë që edhe këto masa drakoniane padyshim nuk çojnë në një kontroll vërtet të suksesshëm të Coronës në Hungari. Unë mendoj se kjo është ajo që i preokupon tani njerëzit në Hungari, bashkë me çështjen e demokracisë.

Atëherë, ku duhet përdorur tani leva për të forcuar vlerat evropiane?

Para së gjithash, mendoj se BE ka një interes jo vetëm të flasë për sundimin e ligjit në Hungari, por edhe të shikojë se në çfarë mase është e suksesshme lufta atje. Së dyti, unë mendoj se në parim duhet të ekzistojë një pakt evropian që të gjitha masat që kanë marrë shtetet anëtare në lidhje me pandeminë të shqyrtohen edhe një herë nga Komisioni Evropian, si mbrojtës të Traktateve, në lidhje me konformitetin e tyre me të drejtën dhe vlerat evropiane të parashikuara në nenin 2 të Traktatit të BE-së. Atëherë do të jemi në gjendje të bëjmë një krahasim nëse masat që janë ndërmarrë në Hungari janë vërtetë më të gjera se në vendet e tjera ose ishin më të efektshme. Unë mendoj se kjo duhet të jetë një element shumë i rëndësishëm. Dhe ne mund të mësojmë edhe nga kjo situatë!

Jo vetëm në Hungari shohim se pushteti është përqendruar gjithnjë e më shumë tek një person, qoftë kryeministri apo presidenti, dhe që Corona po përdoret gjithashtu si levë për t‘i legjitimuar ata dhe për të monopolizuar edhe më shumë pushtetin …

Në përgjithësi vitet e fundit ne kemi parë një prirje që modeli i liderëve të fortë – në thonjëza – si gjoja garantë të stabilitetit, të sigurisë dhe të përparimit ka fituar përparësi, dhe se demokracia liberale ka qenë nën një presion të ashpër në të gjithë rajonin. Unë mendoj se kjo krizë është, natyrisht, një moment i mirëpritur për disa qarqe për ta forcuar edhe më tepër këtë ide dhe për të adoptuar stile qeverisjeje të ndryshme nga ato që kërkon shembulli evropian. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që me veprimet tona si në Gjermani, por edhe në vendet e tjera të BE-së, të mos bëhemi në këtë krizë bartës të proceseve të tilla! Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme që Bundestagu gjerman është ende i aftë të punojë dhe që ne i kemi kufizuar në kohë kompetencat e posaçme të qeverisë federale në kuadrin e masave të gjendjes së jashtëzakonshme.

Si President i Shoqatës së Evropës Juglindore, çfarë rekomandimi i jepni politikës gjermane në lidhje me zhvillimet e përshkruara në rajonin e Evropës Juglindore?

Para së gjithash, për mendimin tim është shumë e rëndësishme që politikanët në Gjermani të kujdesen jo vetëm për “krizën tonë”, por t’i mbajnë sytë hapur për proceset dhe zhvillimet në rajon. Dhe kjo vlen si për luftën akute kundër virusit Corona ashtu edhe për pyetjen, se cilat masa dhe zhvillime politike rezultojnë prej kësaj situate. E rëndësishme është nëse Gjermania vëren diçka dhe nëse në Gjermani diskutohet për këto dhe natyrisht me çfarë toni. Dhe në rastin e luftimit ndaj Coronës, është e rëndësishme që qeveria gjermane dhe Bashkimi Evropian të jenë të gatshëm të jenë të pranishëm në rajon, me infrastrukturë por dhe ndihmë financiare. Unë mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë.

Në lidhje me Hungarinë, është gjithashtu e rëndësishme, sipas mendimit tim, të gjejmë fjalë kritike dhe të qarta. Por kur flasim me Hungarinë nuk duhet të harrojmë se edhe ne duam që kriza të luftohet në mënyrë efektive në Hungari, sepse natyrisht që është gjithashtu një kërcënim për popullin e Hungarisë. Nuk duhet që për shkak të Orbánit të duket sikur BE-ja nuk interesohet për shëndetin e njerëzve në Hungari, por vetëm për çështje formale, në thonjëza. Nuk është kështu. Dhe ne nuk duhet të lejojmë që të krijohet kjo përshtypje. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të flasim për të dyja: menaxhimin e krizës së Coronës nga qeveria hungareze, por edhe për fuqitë shumë, shumë shqetësuese që Parlamenti i ka dhënë zt. Orbán.

/DW

Manuel Sarrazin, anëtar i Bundestag (Lidhja 90 / Të Gjelbrit), është President i Shoqatës për Evropën Juglindore (SOG). SOG është shoqata më e rëndësishme në Gjermani që këshillon politikën për çështjet e Evropës Juglindore.