Ambasadori i “Kurtit” nën hetim/ Martin Berishaj nën akuzë pasi transportoi votat e emigrantëve

schedule23:21 - 6 Shkurt, 2025

schedule 23:21 - 6 Shkurt, 2025

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është përfshirë në transportim të paligjshëm të votave me postë të emigrantëve.

Në një njoftim për media thuhet se prokurori po heton nëse veprimet në fjalë përmbushin elementet e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin e zgjedhjeve.

Mediat në Kosovë kishin raportuar më parë se Berishaj kishte tërhequr zarfe me vota nga posta dhe i kishte dorëzuar ato në Ambasadën e Kosovës në Kroaci.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, tërheqja e dërgesave nga kutitë postare të KQZ, si dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike, bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Pas lajmit për nisjen e hetimeve, reagoi edhe Partia Demokratike e Kosovës. Vlora Çitaku tha se Albin Kurti duhet ta kishte shkarkuar tashmë ambasadorin nga detyra.

Ajo kritikoi edhe Albin Kurtin për deklaratat se i ka marrëdhëniet të mira me Shtetet e Bashkuara. Sipas saj, Kurti ose jeton në një univers paralel, ose i shtrembëron faktet qëllimisht.

Më 9 janar filloi votimi me postë për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të cilat mbahen më 9 shkurt./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!