Analisti Skënder Minxhozi mendon se politika e SHBA në Shqipëri, por dhe në vende të tjera ka ndryshuar.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Minxhozi u shpreh se ka një lënie pas dore të punëve nga SHBA, në kontinent, por edhe në rajon.
Sipas Minxhozit, ambasadat janë relativizuar në kohën e liderëve të fortë.
“Unë mendoj se ambasadat janë relativizuar shumë në kohën e liderëve të fortë. Janë të relativizuara, sepse ai që privilegjohet është komunikimi i drejtpërdrejt, komunikimi përmes personash të tretë, që mund të mos kenë ndonjë status të caktuar. Tirana institucionale, ka kohë që vakumin e krijuar në krye të ambasadës amerikane, është përpjekur ta mbulojë me një lloj lobingu të llojit të saj, aq e vërtetë kjo saqë Rama ka bërë ndërmjetësimet e veta dhe ka krijuar akseset e veta, por edhe opozita, është përpjekur ajo të bëjë ndërmjetësimet e veta. Janë bërë kaq shumë vite që në Tiranë ka vakum të ambasadorit amerikan, saqë Tirana e institucioneve dhe politikës, është çmësuar paska me këtë figurë. Politika amerikane ndaj Shqipërisë dhe një numër vendesh të tjera, ka ndryshuar që në ditën që Donald Trump artikuloi politikën e ‘America First’. Ka lënie pas dorë të punëve në këtë kontinent”, theksoi ai./abcnews.al


