“Alo Edi jam!”, Rama komunikim me qytetarët: Na falni se ka patur problem linja, policia të jetë mirëkuptuese

schedule19:47 - 30 Mars, 2020

schedule 19:47 - 30 Mars, 2020

Kryeministri Edi Rama, edhe pasditen e sotme, ka vijuar me ritualin e telefonatave me qytetarët, të cilët kërkojnë informacion lidhur me problemet e tyre në një kohë kur vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se deri më tani Zyra e Urgjencës ka kontaktuar me më shumë se 16 mijë qytetarë që kanë shprehur shqetësimin e tyre, duke i sqaruar apo duke i dhënë ndihmë.

Kreu i qeverisë tha se problem për marrjen e lejeve ka qënë një mungesë koordinimi mes portalit dhe kompanive telefonike.

Ndërkohë Rama tha se derisa situata me portalin të normalizohet, policia të jetë mirëkuptuese dhe të mos aplikojë menjëherë masat që janë diktuar në aktin normativ të situatës së emergjencës.

“Mirëmbrëma, jam përsëri unë dhe përsëri për të ndarë me ju disa të dhëna dhe disa shqetësime në lidhje me platformën. Shqetësime të cilat i ndajmë bashkarisht duke u munduar të komunikojmë sa më shumë dhe të kuptojmë dhe të mirëkuptohemi sa më shumë të jetë e mundur në këtë situatë që nuk është e lehtë.

Të dhënat nga terreni i luftës po na japin të drejtë të gjithëve, ne që po rezistojmë, ashtu sikundër procesi i komunikimit përmes platformës, ka sjellë një ndërveprim shumë intensiv.

Janë të panumërta rastet po unë po i risjell për të thënë se çfarë spektri mbulojmë. Kemi komunikuar me 16 mijë 172 telefonata të cilat janë menaxhuar nga stafi ynë prej 200 personash.

Kemi zgjidhur disa raste të cilat kanë patur nevojë për ndihmë në këtë situatë. Më lejoni t’ju kërkoj ndjesë të gjithë atyre që kanë patur probleme me aplikimin në e-albania, por kanë ardhur si arsye e mos funksionimit të linjave të kompanive celulare.

Policia e shtetit për momentin të jetë pak mirëkuptuese dhe e arsyeshme e të mos aplikojnë menjëherë masat”, tha Rama./abcnews.al