Alibeaj: PS s’mund ta zgjedhë e vetme Presidentin me votat e deputetëve të “non gratave”

schedule11:36 - 13 Maj, 2022

schedule 11:36 - 13 Maj, 2022

Enkeljd Alibeaj ka dalë në një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit nga ku bëri të ditur se ia ka përcjellë mazhorancës dhe dy Grupeve të tjera Parlamentare opozitare qëndrimin zyrtar të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

“Figura e presidentit do një proces real. Një figurë që të jetë e shqiptarëve, mbi palët politike. E për të arritur në këtë pikësynim ne jemi ofruar për të pasur një proces të sinqertë, të bazuar në kritere, procedurë. Ja kam përcjellë qëndrimin zyrtar të PD-së përfaqësuese të mazhorancës.”

Alibeaj, i cili nuk u ul në tryezën e negocimeve me Taulant Ballën ditën e sotme, tha se procesi duhet bërë në sy të të gjithë shqiptarëve dhe se ai vetë nuk është për “procese të dhomave të errëta.” Ai shtoi se tashmë pret një reagim nga mazhoranca dhe nga dy Grupet e tjera Parlamentare opozitare.

“Ne kemi propozuar kritere. Duhet të jetë një president i cili të dalë në sy të shqiptarëve. Të përcaktohen ca kritere. Dhe, duhet një president antikomunist. Është edhe një kriter, për mos aktivizimin në fushën politikë për 5 vitet e fundit, ky kriter nuk është i shkruar në gur.”

Kreu i Grupit Parlamentar të PD tha po ashtu se për çështjen e kritereve dhe komunizmit ka marrë mbështetjen e Mesila Dodës dhe Fatmir Mediut.

“Pres publikisht që mazhoranca të ketë reagimine  tyre. Pas reagimit të tyre do të kemi edhe ne një reagim. Derisa të ketë një përgjigje, nuk e di si mund të ecim,” tha Alibeaj.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës, kreu i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla u takua me përfaqësues të dy grupeve të tjera parlamentare opozitare, si Mesila Doda, Fatmir Mediu dhe Agron Duka.

Si zgjidhet Presidenti?

Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në tre raundet e para, Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave, pra 84 vota. Sipas ndryshimeve të bëra sëfundmi në Kushtetutë, në rast se në fund të tre raundeve nuk është zgjedhur ende një person, atëherë kalohet në raundin e katërt, ku Presidenti duhet të zgjidhet me 71 vota. Nëse në raundin e katërt njëri prej kandidatëve të mbetur në garë nuk siguron 71 vota, kalohet për votim në raundin e pestë, ku sërish duhen 71 vota. Nëse dështohet edhe në raundin e pestë, atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme dhe do të jetë maxhoranca e re që do të zgjedhë Presidentin. /abcnews.al/