Ali Ahmeti për akuzat ndaj krerëve të Kosovës: Ishte luftë për liri, do të kthehen ngadhënjimtarë

schedule14:24 - 5 Nëntor, 2020

schedule 14:24 - 5 Nëntor, 2020

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka reaguar pas akuzave ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Rexhepit nga Prokuroria Speciale.

Përmes një postimi në rrjetin sociale Facebook, Ahmeti shkruan se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje, por edhe për drejtësi dhe sundim të së drejtës, shoqëri demokratike dhe kohezive, të orientuar drejt vlerave euro-amerikane.

Ahmeti thekson se është i bindur se bashkëluftëtarët e tij, do ta dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të kthehen ngadhnjimtarë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe drejtësinë vendore e ndërkombëtare.

Postimi i plotë i Ahmetit

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë e kombit shqiptar për liri dhe vetëvendosje, por edhe për drejtësi dhe sundim të së drejtës, shoqëri demokratike dhe kohezive, të orientuar drejt vlerave euro-amerikane.

Jam i bindur që shokët e mi, bashkëluftëtarët e mi, do ta dëshmojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do të kthehen ngadhnjimtarë duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe drejtësinë vendore e ndërkombëtare.

Unë e di se si unë, ashtu edhe shokët e mi, po ta kishim edhe një jetë, edhe një mundësi, edhe një kushtrim për të luftuar për liri dhe barazi, ne do ta bënim përsëri sepse besuam dhe besojmë në të drejtën e kombit tonë.

Të gjitha të arriturat tona në këto dekada i kemi realizuar bashkarisht me miqtë tanë ndërkombëtar dhe bashkarisht, duke respektuar vlerat e përqafuara nga të gjithë ne, edhe do ta përfundojmë rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë, drejtësisë dhe integrimit.

Sundimi i ligjit dhe drejtësia e mirëfilltë joselektive janë synime të të gjithë neve andaj dhe përgëzoj krerët e Kosovës që iu përgjigjën thirrjes së drejtësise në mënyrën më dinjitoze dhe ju uroj kthim sa më të shpejtë në detyrat e tyre që i presin.