Regjisori Petri Bozo do të qëndrojë në burg pas vendimit të dhënë këtë të enjte nga Gjykata e Elbasanit, lidhur me aksidentin tragjik ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeçar në aksin nacional Elbasan–Librazhd.
Pasi dëgjoi pretendimet e organit të akuzës dhe mbrojtjes, gjyqtarja Suela Lika pranoi kërkesën e prokurorisë dhe caktoi ndaj Bozos masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 25 majit pranë shkollës së fshatit Mengël, ku vogëlushi, nxënës i klasës së parë, u përplas për vdekje teksa ndodhej me nënën e tij pranë rrugës, pasi kishin shoqëruar motrën në shkollë.
Sipas hetimeve paraprake, në një moment fëmija i është shkëputur vëmendjes së nënës dhe ka dalë në rrugë, ku është goditur nga automjeti që drejtohej nga Petri Bozo.
Në dëshminë e tij para hetuesve, regjisori ka deklaruar se nuk e kishte parë të miturin, edhe pse sipas tij po lëvizte me shpejtësi të ulët. Ai ka pretenduar se pak çaste para aksidentit kishte përshëndetur edhe një efektiv policie që ndodhej në zonë.
Aksidenti riktheu shqetësimin e banorëve të zonës për sigurinë në segmentin rrugor pranë shkollës. Sipas tyre, automjetet lëvizin shpesh me shpejtësi tej normave të lejuara, pavarësisht sinjalistikës që detyron kufizimin në 30 kilometra në orë dhe pranisë së vijave të bardha për këmbësorët.
Banorët kërkojnë ndërhyrje nga autoritetet, me ndërtimin e një mbikalimi për këmbësorët dhe shtim të kontrolleve nga Policia Rrugore, veçanërisht gjatë orareve kur nxënësit hyjnë dhe dalin nga shkolla.
/abcnews.al/



