Në sondazhin e “Zëri i Shqiptarëve” në ABC News qytetarët e Shqipërisë janë pyetur nëse duhet të ashpërsohet ligji për rregullat e qarkullimit rrugor. Sondazhi vjen pas Aksidentit tragjik të ndodhur javë më parë në qytetin e Durrësit ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe u plagos rëndë një tjetër, nga një shofer i dehur, problematik prej kohësh.
17.4% e shqiptarëve mendojnë që ligji duhet ashpërsuar, 9.7% mendojnë që ligji nuk ka nevojë që të ashpërsohet, por duhet të zbatohet me rigorozitet ligji ekzistues, kurse 72.9% mendojnë të dyja bashkë.
Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e vendit. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit. Kampioni u kolaudua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë 1.9 milionë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike. Marzhi i gabimit statistikor për kampionin e plotë: +/- 2.6%.


