Përplasja nga një makinë ishte fatale për një 21-vjeçar në Tiranë, që humbi jetën. Viktima është Denis Gaxha, i cili nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë në vend.
I riu po lëvizte me motor në Laknas, në periferi të kryeqytetit, kur u godit nga një mjet i drejtuar nga 52-vjeçari Azem Marku.
Nga hetimet e para dyshohet se 21-vjeçari, që lëvizte me shpejtësi me motor, i ka prerë rrugën makinës, e cila e goditi për vdekje. Por shkaku i aksidentit do të përcaktohet nga ekspertiza. Drejtuesi i mjetit, Azem Marku, u shoqërua në polici për hetime të mëtejshme.
Ky është aksidenti i tretë i rëndë në dy ditë. Të hënën u përplas për vdekje një 7-vjeçar në Elbasan, ndërsa në mbrëmje gjashtë fëmijë mbetën të plagosur në një tjetër aksident në Vaqar.


