Gazetari Enrik Mehmeti ka humbur jetën në një aksident të ndodhur në plazhin e Porto Noves, në Zvërnec mbrëmjen e së shtunës.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, ai po lëvizte me një motor me katër rrota, kur dyshohet se, si pasojë e një manovre të gabuar, humbi kontrollin e mjetit dhe motori u rrokullis disa herë.
Gjatë aksidentit, një pjesë metalike e mjetit e goditi rëndë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime fatale.
Në motomjet ndodhej si pasagjer një 18-vjeçar, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa probleme për jetën.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.

Enrik Mehmeti ishte gazetar i njohur për raportimet e tij nga qarku i Vlorës, ku për vite me radhë përcolli zhvillimet dhe kronikën e zonës.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në aksidentin fatal./abcnews.al



