Ajri i ndotur në Prishtinë, autoritetet marrin masa

schedule12:12 - 31 Janar, 2018

schedule 12:12 - 31 Janar, 2018

Duke filluar nga dita e sotme në Prishtinë ka nisur të zbatohen një sërë masash për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit. Në qendër dhe në hyrje të kryqytetit do të ndalohet qarkullimi i automjeteve, ndërsa banoret do të shfrytëzojnë autobuset e linjave të brendshme pa pagesë.

Policia e Kosovës ka nisur zbatimin e masave të vendosura të martën nga bashkia e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe me Ministrinë e Punëve të Brenshme. Ky plan masash është vendosur për të ulur nivelin e ajrit të ndotur në kryeqytet. Palët ranë dakord që nga 31 Janari, këto masa të vihen menjëherë në zbatim deri në një vendim të ri.
Një nga masat ka të bëjë me reduktimin e numrit të automjeteve që qarkullojnë në kryeqytet duke ndaluar të gjitha automjetet që vijnë nga qytetet e tjera në hyrje të kryeqytetit, për nëntë orë në ditë. Gjithashtu është vendosur që në varësi të numrit të fundit të targës të çdo automjeti, ato mund të lëvizin përkasisht në ditë teke ose çift. Në hyrje të Prishtinës do të krijohen hapësira për parkim deri në tejkalimin e kësaj situate emergjente.

Ndërkohë Bashkia e Prishtinës ka vendosur që shërbimi me autobuzët brenda qytetit të jetë falas, me anë të një subvencionimi nga ana e qeverissë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, monitoruan gjatë ditës masat për ndalimin e qarkullimit të automjeteve në disa zona të Prishtinës.

Por pavarësisht masave të marra cilësia e ajrit në Prishtinë vijon të jetë shqetësues. Të dhënat e fundit nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë në orën 09:00 të mëngjesit së të mërkurës është regjistruar vlera e ndotjes 161, që konsiderohet e rrezikshme.
Lajmi për nivelin e ajrit të ndotur, që rradhit Prishtinën në krye të listës botërore për ajrin e papastër, ka bërë që shoqëria civile të organizojë një sërë protestash në kryeqytet./abcnews.al