A mund të infektoheni nga Koronavirusi prej pakove që vijnë nga Kina?

schedule09:19 - 28 January, 2020

schedule09:19 - 28 January, 2020

Nëse keni porositur diçka nga Alibaba apo AliExpress, nuk jeni të vetmit. Nëse keni frikë ta merrni në postë se mos ju infekton me koronavirus, gjithashtu nuk jeni të vetmit.

Një shqetësim të tillë patën edhe disa amerikanë, të cilëve iu përgjigjën zyrtarë të Center for Disease Control. Nuk ka prova që vërtetojnë se koronavirusi mund të përhapet përmes mallrave të importuar.

“Në përgjithësi, ngaqë koronaviruset nuk mbijetojnë dot gjatë në sipërfaqe të pajeta, shanset që të përhapet nga produktet e ardhura nga Kina janë shumë të pakëta,” tha Dr. Nancy Messonnier e CDC.

Edhe në rastin më të keq –  nëse një person i infektuar tështin mbi çantën e porositur, niset  me postë dhe i bie në duar marrësit – rreziku është thuajse zero.

Mbi këtë virus specifik dihet shumë pak sepse është i ri, por viruset e ngjashmee SARS dhe MERS, mund të jetojnë vetëm për pak orë në sipërfaqen e një objekti.

Në mënyrë tipike duhen të paktën tre ditë që një paketë të mbërrijë nga Kina në Kaliforni, sipas UPS dhe FedEx. Kështu që virusi nuk do të jetë në gjendje të mbijetojë aq gjatë .

Ndërsa në vendin tonë që një pako të vijë nga Kina duhet të paktën një javë, kështu që virusi s’do të mbijetonte sa për të infektuar marrësin e pakos. Këta lloje virusesh mund të kalojnë nga njeriu në njeri.

Përsa i përket importimit të  kafshëve ose produkteve shtazore të importuara nga Kina, CDC nuk ka asnjë provë që sugjeron se ato paraqesin rrezik .

“Ne nuk e dimë nëse ky virus do të veprojë njësoj” si SARS dhe MERS, tha Messonnier. “Por nuk ka prova që të mbështesin transmetueshmërinë dhe nuk ka raste në SH.B.A. apo vendet e tjera që vinë  nga mallrat e importuara.”/abcnews.al