A i paguan dot shteti rrogat dhe pensionet? Eksperti: Situata shqetësuese

schedule09:08 / 31/10/2019

Së fundi në media qarkullon lajmi se shteti nuk ka para që të paguajë rrogat dhe pensionet. Kjo pasi sipas një verifikimi të KLSH rezultojnë se 1100 ente shtetërore nuk paguajnë sigurimet shoqërore. Për pasojë kjo krijon një gropë të madhe financiare gjë që rrezikon rrogat dhe pensionet.

Që një person të marrë pension sot duhet të paguajnë tre persona. Kur ata nuk paguajnë skema ka qenë me humbje, por bëhet me humbje të papërballueshme. Në një reagim disa ditë më parë, ish-ministri Arben Malaj në një postim në Facebook thoshte se borxhet e papaguara në 2018 për sigurimet shoqërore arrinin në vlerën 110 mln euro.

Vjoldi Danaj, ekspert ekonomie, ishte i ftuar këtë të enjte në “ABC-në e mëngjesit” me Enkel Demin ku theksoi se situata është shqetësuese. Ai deklaroi se disa bashki janë në borxh të thellë me shtetin aq sa nuk kanë para për të paguar pagat e punonjësve të tyre. Për këtë arsye ata nxjerrin punonjwsit për të mbledhur taksat që të mblidhen paratë e mjaftueshme për të paguar rrogat.

Kjo ka ardhur sipas Danajt edhe si pasojë e tenderëve të panevojshëm.

“Unë besoj se ka vend për tu shqetësuar. Për alarm është fjalë e madhe, por për pika shqetësuese ka. Duke qenë se përveç administratës qendrore janë disa bashki që nuk paguajnë sigurimet ose më saktë janë në borxh kaq të thellë edhe me shtetin saqë nuk kanë para që t’u japin edhe punonjësve. Këta bashki i kanë shtyrë me 6 muaj pagesat për punonjësit. Punonjësit nuk kanë marrë edhe rrogat. Kjo ka ardhur si arsye e tenderave të bërë përtej nevojave dhe kjo ka bërë që disa bashki të gjenden buxhet dhe nuk shpërndahen rrogat. Bashkitë çfarë bëjnë? nxjerrin punonjësit për të mbledhur taksat, me qëllim që të mbledhin paratë e nevojshme për të paguar rrogat e tyre”, tha Danaj.

Megjithatë kjo nuk e habit si fenomen ekspertin e ekonomisë. Ajo që e shqetëson është fakti se shteti nuk është në gjendje të paguajë sigurimet shoqërore. Sipas tij mungojnë strukturat shtetërore që të ushtrojnë audite të brendshme tek këto institucione. Në të kundërt do të jetë shumë e afërt dita që do të ndodhemi përpara skenarit kur nuk mund të paguhen pensionet.

“Imagjinoni çfarë mund të ndodhë në sektorë të tjerë. Sektori privat është më i rregullt. Mungojnë struktura shtetërore që të bëjnë audite të brendshme. Nëse është e vërtetë ajo që thuhet në media, nëse është i vërtetë ai lajm që vërtetë nuk kemi para të paguajmë sigurimet e njerëzve është një problem i madh sepse administrata në Shqipëri është punëdhënësi më i madh. Kjo do të thotë që në vitet nuk do jenë shumë të largëta do të jemi vërtetë në atë situatën ku nuk mund të paguhen pensione gjithmonë nëse vërtetohet. Situata është alarmante vërtetë nëse verifikohet”, tha Danaj.

Ndërkohë një ditë më parë reagoi edhe Ministria e Financave sipas të cilës, detyrimet e prapambetura të sigurimeve shoqërore nuk cënojnë në asnjë formë ecurinë e buxhetit të shtetit dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë.

Intervista e plotë:

/abcnews.al

schedule09:08 / 31/10/2019