Paratë e mbledhura në emigracion Roland Taqe i investoi në këtë fermë në Konispol. Ai thotë se i shërben mandarinave gjatë gjithë vitit. Tani që ka nisur sezoni i vjeljes është i shqetësuar pasi tregtarët kërkojnë t’ja blejnë mandarinat me çmim të paktën dy herë më të lirë seç e shesin. Ja kërkojnë rreth 40 lekë kur në treg shiten nga 80 deri 100 lekë.
“12 muaj që ka viti ferma ka punë. Nis me krasitjen në mars, plehërim, spërkatje, vaditje. E nga tetori deri dhjetor fillim janari është vjelja e mandarinës. Hasim probleme, grumbullimi, çmimi, pagesa s’janë të sakta. S’marrim, atë që na takon, djersën” thotë Taqe.
Thotë se nuk ka marrë ndihmë nga shteti. “Janë hapur pika grumbullimi, shteti ju jep subvencione vetëm pikave të grumbullimit dhe unë s’marr asgjë, marr vetëm kg që më jep tregtari. Shteti duhet të na mbështesë se jemi në qiell të hapur”.
Po nga ana tjetër edhe grumbulluesit e mandarinave shprehen se po dëmtohen nga tregtarët e palicensuar. Malli po ju mbetet stok.
“Në zonën e Konispolit vijnë tregtarë të vendit mbledhin mandarina tek fermerët të ndryshëm duke mos pasur asnjë dokumentacion dhe nuk lëshojnë faturat, nuk ju japin çmimin ditor. Shkojnë Tiranë e shesin e ju japin më pas ju japin një çmim si t’ju mbushet mendja. Na penalizojnë në çmim dhe konkurrencë”.
“Nuk po fitojmë, nuk na lënë tregtarët e Tiranës apo Lushnjës, që vijë e marrin mandarinë këtu e heqin me çmim që si takon mandarinës. Ne marrim me çmim më të lartë dhe dalim keq me çmimin”.
Grumbulluesit kërkojnë që të institucionet përgjegjëse të hetojnë dhe të ndalojnë konkurrencën e pandershme.
“Ministria e Financave dhe e Bujqësisë të nisë një grup pune të hetimit tatimor, mundësisht dhe krimit ekonomik që në Konispol të kontrollojnë pikat e grumbullimit për dokumentacionin përkatës, që mos lejojnë më që tregtarët ilegalë që mbledhin mandarinat të mos punojnë më pa dokumentacionin përkatës të paguajnë dhe ata taksat si ne.
Të ketë kontrolle ku i blejnë arkat e të kenë faturat se dhe kjo e pjesë e penalizon konkurrencën” mbyllet apeli i tyre./ Abcnews.al