Arsimi në Kosovë është përfshirë nga një grevë e përgjithshme. Punonjësit e këtij sektori kanë paralajmëruar qeverinë se do të ndërpresin mësimin deri në plotësimin e kërkesës së tyre për rritjen e pagave.
Institucionet arsimore në Kosovë, nga çderdhet tek universitetet, kanë nisur të hënën një grevë të përgjithshme. Greva nisi në orën 9 të mëngjesit dhe vijoi deri në mesditë, orar që do të respektohet edhe në ditët në vazhdim.
Kryetari i Sindikatës së arsimit, shkencës dhe kulturës, Rrahman Jasharaj deklaroi se nuk do të heqin dorë nga greva deri në plotësimin e kërkesës për rritjen e rrogës së arsimtarëve me të paktën 30 për qind.
Jasharaj u shpreh i vetëdijshëm se një nismë e tillë mund të jetë e dëmshme për nxënësit, por në kushtet aktuale punonjësit e sektorit të arsimit nuk kanë rrugë tjetër. Ai theksoi se prej muajsh e ka ngritur shqetësimin në takimet me kryeministrin Haradinaj dhe ministrin e Arsimit, Shyqyri Bytyçi, por ato kanë rënë në vesh të shurdhët.
Sidoqoftë, Jasharaj u shpreh i gatshëm të takohet me përfaqësuesit e komisionit parlamentar të arsimit, në rast se një gjë e tillë do të kërkohet. Duke reaguar ndaj lëvizjes së arsimtarëve, lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të arsimit, duke detyruar mësuesit të hyjnë në grevë.
“Është detyrë e kësaj qeverie që së bashku me sindikatën të gjejnë një zgjidhje të arsyeshme që mësimi të fillojë”, deklaroi deputeti Ismail Kurteshi.
Ndërsa zëvendës kryeministri Fatmir Limaj, pasi priti në një takim përfaqësuesit e sindikatës, deklaroi se mësimdhënësit duhet të trajtohen me dinjitet. Limaj tha se i mirëkupton kërkesat e tyre, por bëri thirrje që greva të ndërpritet./abcnews.al