Universitetet nuk i janë rikthyer normalitetit as këtë të hënë. Disa studentë kanë vijuar bojkotin dhe ngujimin në fakultetet e tyre, ndërsa të tjerë kanë zgjedhur të ndjekin mësimin.
Muzika ka zëvendësuar leksionet në Fakultetin e Inxhinerisë së Ndërtimit në Tiranë. Studentët kanë bojkotuar mësimin dhe janë ngujuar në korridor.
“Katër-pesë vetë për klasë mund të kenë qenë dhe atyre pasi u kemi shkuar u kemi folur dhe kanë vendosur, kanë reflekuar, bojkotuan”, tha një student.
“Ishim shumë pak veta në klasë kështu që nuk bëmë mësim”, u shpreh një tjetër.
Në Universitetin Politeknik dyert vijojnë të mbahen të bllokuara me karrige ndërsa studentët shprehen se do të vijojnë bojkotin deri në plotësimin e kërkesave edhe nëse rrezikojnë të humbasin vitin akademik.
“Është më mirë të bojkotojmë për një vit, dy vite, tre vite. Më moirë mos të bëjmë fare këtë shkollë sesa të bëjmë një shkollë që nuk na vlen për asnjë gjë”, u shpreh një student.
Të vendosur për të qëndruar të ngujuar dhe për të mos lejuar askënd të futet në mjediset universitare shprehen edhe studentët e Fakultetit të Drejtësisë.
“Jemi mbi 200 vetë, do vazhdojë ajo që kemi thënë, ngujim”, u shpreh një student atje.
Në fakultetin e Ekonomisë, një pjesë e studentëve janë ngujuar në korridor. Një pjesë tjetër kanë dashur të zhvillojnë mësim, por nuk janë lejuar nga studentët protestues.
“Pjesa më e madhe ja ku e keni janë pro bojkotit dhe do i shkojnë deri në fund”, u shpreh një student atje.
Këtë të hënë janë ngujuar në mjediset e fakultetit dhe një pjesë e studentëve të Universitetit të Mjekësisë.
“Nuk kemi penguar në asnjë moment procesin mësimor. Kjo iniciativë e ngujimit dhe bojkotit është demokratike në bazë të preferencës së tij”, tha një student.
Ndërkohë që ka pasur edhe nga ata që kanë ndjekur leksionet e seminaret.
“Gjithë grupet e viti të parë kanë ardhur për momentin për mësim. Për mungesa na kanë lajmëruar që nuk do të meeren por është frika që mos humbin vitin apo mund të ketë ndonjë shtyrkje, u shpreh një student”, tha një student.
Kjo është dita e pestë që studentët po vijojnë protestën e tyre në mjediset universitare./abcnews.al