Votimi për Brexit, May bën apelin e fundit

schedule14:05 - 13 Janar, 2019

schedule 14:05 - 13 Janar, 2019

Dy ditë para votimit final të marrëveshjes së Breksit, Thereza Mej ka paralajmëruar ligjvënësit britanikë se dështimi do të ishte një thyerje e pariparueshme e besimit të qytetarëve tek demokracia dhe politika.

Dështimi i marrëveshjes së Breksit do të ishte një thyerje e pafalshme dhe katastrofike e besimit në demokracinë tonë. Me këto fjalë, kryeministrja britanike Thereza Mej u ka bërë sërish thirrje ligjvënësve që ta miratojnë atë në votimin që do të mbahet ditën e martë. Në një shkrim të botuar në numrin e së dielës të “Sandej Ekspres”, Mej ka nënvizuar se, votimi i akordit që ajo ka negociuar me Brukselin është hapi më i madh dhe më i rëndësishëm i të gjitha legjislaturave të Mbretërisë së Bashkuar. Sipas mediave britanike, shanset janë që kryetarja e qeverisë të dalë e humbur në votimin e së martës, një opsion ky që sipas ministrave të saj do të fusë vendin në një paralizë të rrezikshme. Në shkrimin e saj, Mej është shprehur se, politika nuk mund t’i kthejë shpinën qytetarëve që i besuan një procesi politik kaq të rëndësishëm në dekada. “Ne nuk mund t’i zhgënjejmë ata. Një gjë e tillë do të ishte një thyerje katastrofike dhe e pafalshme e besimit në demokracinë tonë. Ndaj mesazhi im drejtuar Parlamentit është i qartë: Është koha të lëmë mënjanë lojrat dhe të bëjmë gjënë e duhur për vendin tonë”, ka thënë Mej. Në rast të kundërt, ka paralajmëruar kryeministrja, Britania rrezikon të dalë nga BE pa një marrëveshje, ose që Breksit të mos ndodhë fare. Ndërkohë, qeveria i druhet kalimit të procesit të Breksit nën kontrollin e ligjvënësve nëse vota e së martës dështon. Gazeta “Sandej Tajms” raporton për planin e një grupi deputetësh për të ndryshuar rregullat e Dhomës së Përfaqësuese, për të fituar pushtet kundrejt ekzekutivit nëse projekti i zonjës Mej dështon. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!