Heroina në Durrës, dëshmon Shqarthi: Jam shofer, s’kam lidhje

schedule13:09 - 7 Janar, 2019

schedule 13:09 - 7 Janar, 2019

Policia ka marrë dëshminë e të ndaluarit pas kapjes se katër kg heroinë në portin e Durrësit. 39 vjeçari i arrestuar ka thënë se është vetëm shofer dhe nuk dinte kush e ka futur drogën.

Drejtuesi i kamionit ku u gjetën 4 kg heroinë, Bledar Shqarthi mohoi në polici të kishte lidhje me drogën.

I pyetur nga hetues të çështjes mbi sasinë e lëndës narkotike të gjetur në një çantë dore, 39 vjeçari ka thënë se nuk është ai poseduesi.  Nuk kishte dijeni për ekzistencën e saj deri në momentin që u bllokua nga policia.

“Unë jam i punësuar si shofer kamioni. Puna ime është të çoj mallin në destinacionin që më thotë kompania, jo të pyes mbi përmbajtjen e saj. Unë nuk kam dijeni mbi drogën e gjetur. E  mësova vetëm në momentin që u bllokua” – ka deklaruar Shqarthi.

Por, pavarësisht kësaj dëshmie policia prezencën e lëndës narkotike e ka lidhur me 39 vjeçarin.

Hetuesit dyshojnë që ai jo vetëm kishte dijeni mbi heroinën, po nëpërmjet tij mund të zbulohet i gjithë rrjeti i trafikimit të drogërave të rënda dhe ka kërkuar arrestimin e tij.

Heroina me vlerë rreth 80 mijë euro, u bllokua mbrëmjen e së dielës në portin e Durrësit kur kamioni po kryente procedurat e imbarkimit për të udhëtuar drejt Italisë me një nga tragetet e linjave. /abcnews.al