Mjeku shqiptar në Britani: Delta Plus jo shqetësues, nuk ka probleme me vaksinën

schedule08:09 - 28 Tetor, 2021

schedule 08:09 - 28 Tetor, 2021

Mjeku pranë Shërbimit Kombëtar Spitalor britanik, Baki Ejupi, gjatë një interviste për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, theksoi se mutacioni i ri Delta Plus nuk paraqet një shqetësim për faktin se deri më tani nuk është vënë re një rritje e numrit të hospitalizimeve dhe vdekjeve. Ai shtoi se një arsye tjetër inkurajuese është dhe vaksina sepse nuk e humbet efektivitetin ndaj këtij mutacioni.

“Këto mutacione janë pjesë normale e shfaqjeve jo vetëm te koronavirusi, po disa prej tyre rezultojnë me veti të reja klinike dhe epidemiologjike. Delta Plus u zbulua në prill të këtij viti në Indi. Megjithëse, studimet janë të vogla dhe kanë numra të vogël pacientësh, sugjerojnë se ky mutacion mund të jetë më i trasmetueshëm por jo deri më tani më i rrezikshëm, nuk duket se po prodhon një pasqyrë më të rëndë klinike.

Nuk ka indikacione deri më tani se ky variant paraqet një mundësi të evazionit ndaj trajtimit me vaksinë. Për momentin është në Angli, është me interes por jo shqetësues. Arsyeja pse është vërejtur në Angli është se këtu ne kemi një sistem të përsosur të detektimit dhe monitorimit të varianteve të reja deri më tani Delta Plus është vënë re në 10 vende dhe në Angli paraqet jo më shumë e 6 përqind të infeksione momentale.

Delta është përhapur në 60 vende dhe paraqet një infeksion në 80 përqind. Është një dallim inkurajues sepse më pak njerëz janë më të prekur nga Delta Plus dhe deri më tani nuk ka të dhëna që paraqet problem me vaksinën.” u shpreh ai. Më tej, mjeku shtoi se është e nevojshme marrja e vaksinës kundër gripit si dhe doza e tretë kundër Covid-19, kryesisht te moshat e treta.

“Padyshim, sidomos në kuptim të gripit sezonal, ka shumë ekspertë që sugjerojnë se gripi paraqet më shumë problem këtë dimër sesa vetë Covid-i sepse përderisa autoritetet janë mobilizuar dhe shkalla e vaksinimit është e mirë, shumë njerëz kanë lënë anash influencën.

Ndërkohë mutacionet, ndodhin shumë shpesh në influencën sezonale dhe mund të paraqesë një problem në moshat e vjetra. Ne duhet të theksojmë vaksinimin paralel si me Covid ashtu dhe me influencë, po lëvizin drejt vendimit që të ketë një dozë të tretë sidomos të mosha e shtyrë apo ata që kanë sëmundje shoqëruese.”, theksoi ai.
/abcnews.al