Vrasja e kineastes, rregullat për armët në shesh xhirim

schedule12:01 - 26 Tetor, 2021

schedule 12:01 - 26 Tetor, 2021

Incidenti i tmerrshëm që rezultoi në vdekjen e kineastes në shesh-xhirimin e një filmi, javën e kaluar ka ngritur pikëpyetje të shumta rreth përdorimit të armëve në industrinë e filmave, shkruan BBC

Aktori Alec Baldwin tha se ndihej i shkatërruar pasi qëlloi për vdekje kineasten, Halyna Hutchins në New Mexico të enjten. Regjisori Joel Souza, i cili ishte pas Hutchins, mbeti i plagosur.

Kush është përgjegjës për sigurinë e armëve në filma?

Përgjegjësia për përdorimin e armëve është e produksionit dhe ekspertëve të armëve. Ata udhëzojnë aktorët për përdorimin e duhur dhe të sigurt të armëve. Ata gjithashtu kontrollojnë armët para dhe pas çdo skene.

Cilat janë rregullat?

 

Në përgjithësi, një mjeshtër i armëve ose i armatimit mbikëqyr të gjitha armët që përdoren në prodhimet filmike apo televizive. Këtu mund të përfshihet gjithçka, nga zgjedhja e armëve të duhura për periudha të caktuara historike, deri te kujdesi për armët gjatë xhirimeve dhe sigurimi që ato do të përdoren në mënyrë të sigurt dhe të duhur nga aktorët.

Kjo është një pozitë mjaft e re në historinë e prodhimit të filmave, që daton nga vitet e 80-ta. Përpara kësaj, personi që ishte i caktuar për këtë punë merrej me shumë gjëra. Por, së fundmi, në këtë post po cakton kryesisht specialistë.

Profesori Dan Leonard nga Universiteti Chapman në Kaliforni, tha për BBC-në “se në përgjithësi i lihet industrisë së filmave të  kontrollojnë udhëzimet… dhe ato udhëzime nëse ndiqen mund të lejojnë që armët e zjarrit të përdoren në mënyrë të sigurte në set”.

Por edhe atëherë, nuk ka një përfundim të saktë procedurash dhe protokollesh. Ndoshta më e afërta me një listë të rregullave të sugjeruara është ajo e publikuar nga Komiteti i Sigurisë së Menaxhimit të Punës.

Këshillat e tij përfshijnë:

-Mendoni sikur armët e zjarrit të jenë të mbushura

-Asnjëherë mos e vendosni gishtin në këmbëz nëse nuk jeni gati për të qëlluar

-Kushdo që është i përfshirë në përdorimin e armës së zjarrit duhet të informohet nga stafi i sigurisë për çdo veprim

-Vetëm një person i kualifikuar duhet të mbushë një armë zjarri

-Jelekët anti-plumba, mbrojtja e syve dhe e dëgjimit duhet të përdoren nga kushdo në afërsi ose në vijën e zjarrit

Por komiteti thekson se udhëzimet e tij nuk janë “ligje apo rregulla me detyrim”, sipas Prof Leonard.

A do të vendosen rregulla më të rrepta?

Incidentet si në xhirimet e Rust janë tepër të rralla, por ka pasur thirrje të shumta për ndalimin e armëve të zjarrit  në shesh xhirimin e filmave, me një peticion që ka mbledhur më shumë se 23,000 firma deri sot, raporton abcnews.al

Senatori i Kalifornisë, Dave Cortese, tha të shtunën se do të miratonte një projekt-ligj që ndalon municionet në shesh xhirimet e filmave. Ai tha: “Ekziston një nevojë urgjente për të adresuar abuzimet alarmante të punës dhe shkeljet e sigurisë që ndodhin në skenën e produksioneve teatrale, duke përfshirë kushte të panevojshme me rrezik të lartë si përdorimi i armëve të zjarrit.”

Por disa profesionistë të industrisë thanë se nuk ishte problemi përdorimi i armëve. SL Huang, një shkrimtar, tha në Twitter se nëse ndiqni procedurat standarde, aksidentet nuk do të ndodhin.

Pse përdoren armë të vërteta kur ekzistojnë efektet speciale?

Po bëhet edhe më e zakonshme që të shtohen armë të zjarrit në post-produksion kur punohet në efektet vizuale. Por, efektet vizuale mund të jenë të shtrenjta dhe është më lehtë dhe më lirë që të përdoren armë rekuizitë. Gjithashtu, Cortese tha se mund të ketë përparësi në përdorimin e armëve rekuizitë dhe të fishekëve bosh, pasi mund të arrihet një reagim më i mirë nga aktorët.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!