Policia kufitare e Durrësit ka sekuestruar mbrëmë në port 45.5 kg heroinë në një kamion.
Në pranga në kuadër të operacionit “Portëz” kanë rënë pronari Arian Çerma 45 vjeç nga Durrësi që ka në pronësi kompaninë e transportit “Hensi Trans” me qendër në qytetin bregdetar dhe drejtuesi i kamionit me targë “AA 045 YF” Olgert Duda 36 vjeç, banues në Fier.
Policia thekson se kishte informacion në rrugë operative nga strukturat hetimore për një sasi lëndë narkotike që do trafikohej drejt Italisë. Për këtë arsye ka kryer kontroll të imtësishëm në kamionët në hyrje dhe në dalje.
Gjatë kontrollit në dalje në vijën e dytë në kamionin tip “Scania” dhe i ngarkuar me krom me destinacion Italinë, fshehur në kabinë u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 45 kilogramë e 500 gramë.
Një pjesë e pakove të sekuestruara me heroinë kishin mbishkrimin banane, disa kryq të bardhë dhe pjesa tjetër shirit të zi. Drejtuesi i kamionit ka deklaruar se nuk kishte dijeni për drogën.
Task Forca vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Trafikimi i narkotike”, kryer në bashkëpunim./ Abcnews.al