Rehabilitohet pas 60 vitesh blloku i banimit në Sauk

schedule13:32 - 3 Janar, 2019

schedule 13:32 - 3 Janar, 2019

Këtë vit Bashkia e Tiranës investimet do t’i përqëndrojë në periferi të qytetit. Premtimi vjen nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi përfundimin e punimeve në një bllok banimi në Sauk.

Pas 60 vjetësh, kjo lagje nga më të vjetrat në Sauk është transformuar. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rehabilitimin e plotë të bllokut të banimit në rrugën e “Osmëve”. Kryebashkiaku Erion Veliaj, inspektoi përfundimin e punimeve ku u shpreh se viti 2019  do t’i kushtohet investimeve në periferi.

 “Jam shumë i lumtur që rikthehemi te një nga lagjet më të vjetra të Tiranës, një zonë që ndan Tiranën urbane me pjesën rurale, që vazhdon me Lundrën, Farkën. Është zona e Saukut të Vjetër, rruga e “Osmëve”, familje të vjetra tironse, rreth 800-900 banorë të cilët e fillojnë vitin e ri mbarë dhe mbarë jo vetëm se ka një rrugë, por se ka një cilësi të re jetese. Ajo që kemi parë është magjia e punës: Aty ku vihet dorë dhe punohet realiteti transformohet, njerëzit janë bërë më familjarë me njëri-tjetrin, më bashkëpunues, në disa vende kanë tërhequr muret, janë krijuar xhepa të vegjël për të mbjellë një pemë, për të vënë disa stola. Është ndoshta nisja me këmbë të mbarë e vitit 2019, që në fakt do të jetë një vit i dedikuar periferive, zonave rurale dhe periurbane”, tha Veliaj.

Si në qendër, ashtu edhe në zonat rurale sipas kryebashkiakut investimet e bashkisë do të kenë të njëjtën cilësi.

“Mezi pres që të shikoj se si edhe këtu do të rritet vlera e pronës, si do të shtohet jeta komunitare, pasi kjo për ne është shumë e rëndësishme. Pra, sigurohemi që siç po del në dritë qendra e Tiranës nga sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës, i gjithë Parku i Liqenit, pak nga pak të rikuperojmë edhe shumë prej njësive të vjetra, të cilat ndër vite janë mbipopulluar kryesisht me banorë të ardhur nga cepa të ndryshëm të Shqipërisë”, u shpreh Veliaj.

Krahas punimeve në trupin e rrugës ketu  është investuar në rrjetin e ri të kanalizimeve, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!