Osmani: Trishtuese statistikat e dhunës ndaj grave, autorët duhet të dënohen

schedule12:08 - 25 Tetor, 2021

schedule 12:08 - 25 Tetor, 2021

Në hapjen e “Javës për mbrojtjen e viktimave të krimit” në Kosovë presidentja Vjosa Osmani tha se detyrimi i shtetit është mbrojtja dhe garantimi i së drejtës së jetës. Ajo shtoi se statistikat janë trishtuese, ku dhuna tashmë është bërë sfidë e madhe për vendin. Osmani thotë se autorët e veprave duhet të dënohen dhe të mos tolerohet asnjë lloj dhune.

“Obligimi i shtetit në raport me të drejtat dhe liritë e njeriut nuk është vetëm obligim negativ, por edhe obligim pozitiv, që nënkupton t’i mbrosh ato kur janë në rrezik, e qoftë ajo e mbrojtjes për jetë. Deri në shtator të këtij viti janë edhe tri gra viktima të dhunës në familje dhe statistikat janë trishtuese, kryesit e veprave duhet dënohen” tha ajo.

Osmani, përkundër punës që po bëhet në luftimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ftoi institucionet të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim. Madje ajo ka ofruar edhe mbështetjen e saj në mbrojtje të viktimave nga dhuna.

“Më vjen mirë që po punohet pozitivisht nga profesionistët që të fitohet besimi në këto institucione. Dua të rikonfirmoj angazhimin tim personal që të bashkëpunoj me të gjitha institucionet ku integritetin dhe respektimin e ligjit e kanë parësore dhe bashkërisht të luftojmë krimin e t’i mbrojmë viktimat.

Mbi të gjitha të zbatohet ligji duke siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët pa frikë, ne vetëm bashkë mund të sigurojmë qetësi për qytetarët. Heshtja ime ndaj padrejtësive kurrë nuk do të jetë një alternativë, sepse kështu i nxisim kryesit e veprave dhe dhunës që të vazhdojnë tutje, andaj ta ngrejë zërin sa më shumë”, deklaroi Osmani. m.v/Abcnews.al