Ekzekutimi mafioz i Demir Backës dy ditë më parë në mes të qytetit është ende pa autor, ndërsa policia ka administruar vetëm makinën e djegur si edhe armët e krimit. Deri më tani ka disa pista hetimi.
Ai u qëllua 18 herë, ku tre plumba e kapën në qafë dhe kokë dhe të tjerët në trup. Policia ka shoqëruar një numër të madh personash që mund të kenë dijeni për ngjarjen në fjalë.
Ekzekutimi i tij është ngjarja e fundit e rëndë që ka tronditur gjatë këtij viti Fierin.
Vritet në atentat Shkëlzen Kastrati
Në 1 shkurt të këtij viti u ekzekutua te vendi i quajtur rrethrrotullimi i Sheqit, 42-vjeçari Shkëlzen Kastrati. Ai u qëllua nga dy persona teksa ishte duke drejtuar makinën e tij tip “Mercedes Benz”, ku ka humbur kontrollin dhe u përplas me makinë që ndodhej e parkuar. Policia gjeti disa kilometra më tej një makinë tip “Range Rover” të djegur dhe brenda saj armën që dyshohet se u përdor në krim.
Policia arrestoi në 21 mars Albert Zajën në Nikël me akuzën e ekzekutimit të Kastratit. Ai u kap nga forcat operacionale dhe gjatë operacionit pati edhe të shtëna. Në momentin e arrestimit, Zajës iu kap edhe një pistoletë tip “Glock”.
Vritet në sy të fëmijëve e reja shtatzënë
Demokrat Bedinaj i nguli 30 herë thikën bashkëshortes së tij shtatzënë pasditen e vonë të 17 marsit duke e lënë të vdekur në vend.
Ngjarja e rëndë ndodhi në sytë e dy fëmijëve të çiftit. Pas ngjarjes ai u largua nga banesa për t’u gjetur në mëngjes i pajetë në landfillin e Fierit. Policia vlerësoi se Bedinaj u vetëvra.
Elton Metaj ekzekuton ish-bashkëshorten
Fieri do të tronditej sërish më datë 21 shtator ku Elton Metaj ekzekutoi me breshëri automatiku ish-bashkëshorten e tij Sabrina Bengaj. Ata jetonin të ndarë prej disa muajsh, por pasi doli nga qelia, Metaj shkoi me armë në dorë në shtëpinë e prindërve t ëish-bashkëshortes duke qëlluar me armë ndaj saj.
Metaj u kap disa orë pas krimit në një zonë të pyllëzuar jo larg vendit të ngjarjes. Në dëshminë e tij para policisë ai tha se e qëlloi pasi donte që të ribashkoheshin./abcnews.al