Në fund të muajit tetor Shqipëria do të marrë një borxh 500 deri në 700 mln euro në tregjet ndërkombëtare. Emetimi i eurobondit vjen në një moment që vendi ka një nivel të lartë borxhi. Emetimi i eurobondit është diskutuar në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave. Nënkryetarja e PD-së, deputetja Jorida Tabaku foli për një krizë ku ndodhet vendi.
“Qeveria e gjeti borxhin në 2013 në vlerën e 6.3 mld euro ndërkohë që në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 borxhi ka kapur vlerën e 10.29 mld euro. Kur luhet koka kur anëtarët e komisionit flasin, e thash na pëlqen nuk na pëlqen cfarë themi, duhet ta respektojmë dhe kundërshtojmë me argumente njëri tjetrin.
Flasim për rritjen e pagave, por sipas FMN-së dhe BB Shqipëria ka pagën më të ulët mesatare në rajon. Mos mburret dhe krekoset askush se borxhi na bën mirë. Marrja e borxhit për të paguar borxh dhe jo efektive nuk na bën mirë. Qendrat e qyteteve dhe investimet nuk kanë nxitur punësim” tha ajo.
Dashamir Shehi kërkoi më shumë seriozit. “Do të merret ky borxhi si të gjithë ata të tjerët, ne po diskutojmë këtu se kjo punë u bë cdo dy vjet. Nuk ka pse ofendohet njeri këtu nga dija e madhe që ka. Hajde ta diskutojmë më seriozisht. Ju vini me kërkuar 700 mln borxh me një relacion një faqe, sepse e keni quajtur të mirëqenë. Ky do të merret, merreni, e gëzofshi, shyqyr që merret me terma më të mirë” tha ai.
Kryetari i Komisionit Eduard Shalsi tha se “Asnjë nuk e ka bërë situatën rozë, por disa të vërteta janë aty, ju pëlqejnë, s’ju pëlqejnë. Janë cështje që edhe ne vetë kemi diskutuar dhe debatojmë, por serioziteti fillon që nga kërkesa që kemi dhe mbi cfarë gjykojmë kur flasim mbi eurobond” tha ai./ Abcnews.al