Marrëveshja e Prespës ka hyrë në fazën vendimtare, kur duhet të marrë aprovimin përfundimtar në Parlamentet e Maqedonisë dhe Greqisë. Në të dyja vendet kryeministrat Zaev dhe Tsipras po përballen me skepticizmin e opozitës, por megjithatë ata janë optimistë për një rezultat pozitiv.
Shtatë ditë para seancës plenare të Parlamentit të Maqedonisë, publiku vendor dhe ai ndërkombëtar, po ndjekin me vëmendje parashikimet nëse kryeministri Zoran Zaev ka për të kaluar përfundimisht me sukses paketën e ndryshimit të Kushtetutës: për përcaktimin e propozim-amendamenteve, miratmin, shpalljen e tyre dhe të miratojë propozim-ligjin kushtetues për hyrjen në fuqi, pra për zbatimin e këtyre ndryshimeve kushtetuese në vendin që nëse jepet drita jeshile nga gjysma e Janarit zyrtarisht do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.
Media në Athinë, duke iu referuar një letre të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, pohon se Shkupi, po edhe Athina, këtë procedurë të aprovimit të Traktatit të Prespës do të duhet ta mbyllin deri më 15 Shkurt. Për më tepër, sikurse njofton korrespondenti i televizonit tonë në Greqi, Robert Goro, menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, kryeministri grek ka për të vendosur datën kur Parlamenti i atjeshëm do të ratifikojë Marrëveshjen e Prespës.
Kryeministrat e të dyja vendeve, edhe në paraqitjet e fundvitit nuk e fshehën optimizmin se më në fund kanë për të kaluar me sukses këtë Rubikon të thelluar ndër dekada të mosmarrëveshjeve maqedono-greke për emrin, që nuk mund të thuhet për opozitaren VMRO-DPMNE, por edhe opozitën greke, se do të bëjnë çmos që të pengojnë ratifikimin apo, nëse nuk ia dalin, t’i vënë e t’i lënë një damkë të zezë Marrëveshjes në fjalë. Sidoqoftë, burime diplomatike në të dyja vendet, por edhe në qendrat evropiane të vendosjes, si dhe në Uashington, thonë se Marrëveshja e Prespës u arrit edhe me mundin e tyre, ndaj nuk besojnë se në finale, i njëjti mund të rezultojë i pasuksesshëm./abcnews.al